Ndërlidhjet

Spanjë: Pas 400 vjetësh, formalisht varroset shkrimtari Cervantes


Miguel de Cervantes
Miguel de Cervantes

Spanja sot e ka organizuar një varrim formal për shkrimtarin më të madh të saj, Miguel de Cervantes, afro 400 vjet pas vdekjes së tij, duke e zbuluar përmendoren në të cilin aktualisht mbaheshin copa të eshtrave të pavarrosura, ku besohet se përfshihen edhe ato të autorit të “Don Kishotit”.

Kryetarja e qytetit të Madridit, Ana Botella, ka vendosur kurorë dafinash në pjesën e poshtme të monumentit në një manastir të Madridit, gjatë ceremonisë së zbulimit, ku përfshiheshin edhe nderimet ushtarake, pasi Miguel de Cervantes, që konsiderohet Shekspiri i letërsisë spanjolle, po ashtu, ishte ushtar i Spanjës.

Eshtrat janë gjetur këtë vit nga ekspertët pas kërkimit gati njëvjeçar në një manastir, ku thuhej se Cervantesi ishte varrosur në vitin 1616.

Në muajin janar, arkeologët thanë se kishin gjetur pjesë të arkivolit me inicialet “M.C” dhe eshtra. Ata konkluduan se ishin të shkrimtarit, bile edhe pa dëshmi përfundimtare, raporton AP nga Madridi

Zonja Botella tha se monumenti i zbuluar paraqet një borxh shumë të gjatë ndaj shkrimtarit Cervantes dhe kulturës spanjolle.

“Tash ne mund të themi, Miguel - misioni është kryer”, tha ajo.

XS
SM
MD
LG