Ndërlidhjet

Fustanet në "botën e mashkullit"


Në kujtim të viktimave të krimeve seksuale gjatë luftës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Në kujtim të viktimave të krimeve seksuale gjatë luftës

Mbi 5 mijë fustane janë dhuruar nga gra dhe burra nga mbarë Kosovë për të krijuar instalacionin artistik “Mendoj për ty”, në shenjë solidarizimi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Instalacioni është realizuar në fushën e stadiumit të Prishtinës, ku janë varur mijëra fustane dhe funde të grave.

Në mesin e tyre ishin edhe dy funde të varura ku kishin dy mbishkrime personale.

“E kam një përjetim të hidhur,” ishte shkruar në njërin, dhe në tjetrin shkruante “Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera e vitit 1998".

Instalacioni është realizuar nga artistja Alketa Xhafa - Mripa, dhe është mbështetur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kryeson Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte në hapje të instalacionit “Mendoj për Ty” ka theksuar se bërja e kësaj vepre artistike dha shumë për të menduar dhe preku zemrat e shumta.

“Përjetuam shumë emocione. Dëshmuam se Kosova nuk ka qytetarë për të humbur. Se ne nuk i lëmë ata pas. Dhe që në përvjetorin e çlirimit të vendit tonë, në këtë ditë të veçantë, me të mbijetuarit e kësaj torture, që jetojnë ende me këtë luftë brenda vetes, do të jemi bashkë. Sepse, sot, derisa e festojmë lirinë, e përkujtojmë edhe vuajtjen e thellë të shkaktuar nga lufta. Sepse paqja jonë kurrë nuk do të jetë e plotë pa paqen e tyre”, ka theksuar presidentja Jahjaga.

Artistja Alketa Xhafa - Mripa, ka treguar se ideja për instalacionin i kishte ardhur para tre vjetësh kur kishte dëgjuar intervistat e dhëna nga të mbijetuarit e dhunës seksuale se nuk ishin të përkrahur nga shoqëria.

Realizimi i kësaj vepre artiske në fushën e futbollit, sipas Alketës, ka një domethënie.

Fusha e futbollit njihet si bota e mashkullit, është aty ku adrenalina, fishkëllimat ndodhin, e tëmbijetuarave iu është dashur një përkrahje e shoqërisë, e burrave në familje dhe institucioneve dhe unë me këtë kam dashur që ato të kenë një vend të veçantë në atë botë. Po ashtu, në të njëjtën kohë, e ka edhe anën tjetër, kur ka ndodhur kjo para 16 vjetësh, ato kanë qenë të kufizuara ashtu siç është fusha e futbollit”, ka sqaruar ajo.

Fustanet e tyre për këtë instalacion artistik kanë dhuruar edhe Cherie Blair, gruaja e ish-kryeministrit Tony Blair, si dhe Baronesha Anelay.

Fustanet, që janë të vendosur në stadiumin e Prishtinës, do të qëndrojnë aty gjatë tërë ditës së premte , pastaj me to do të bëhet një skulpturë që do të jetë e përhershme në sheshin e Prishtinës.

Në Prishtinë, të premten, gjithashtu është bërë edhe inaugurimi i memorialit "Heroinat", i cili nderon sakrificën dhe kontributin e gruas gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka qenë i pranishëm në inaugurimin e këtij memoriali, ka theksuar se ky memorial nderon në mënyrë simbolike kontributin e gjithanshëm të gruas në Kosovë, që ka dhënë gjatë luftës.

“Kjo vepër e realizuar artistike është një nderim për sakrificën e vajzave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, por edhe për sakrificat e grave të dhunuara”, ka theksuar Mustafa.

Edhe pas 16 vjetësh të përfundimit të luftës, ende nuk ka një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por mendohet që numri i tyre të jetë rreth 20 mijë.

XS
SM
MD
LG