Ndërlidhjet

logo-print

Kosova larg Organizatës Botërore të Tregtisë


Organizata Botërore e Tregtisë

Organizata Botërore e Tregtisë

Janë bërë gati tetë vjet që kur autoritetet kompetente në Kosovë kanë filluar përgatitjet për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), por deri më tani nuk kanë aplikuar.

Madje, autoritetet kompetente nuk kanë vendosur se në çfarë modaliteti do të aplikojnë. Dilemat për modalitet kanë qenë në mes anëtarësimit të rregullt dhe shtetit vëzhgues për një periudhë fillimisht pesëvjeçare.

Për mundësitë dhe procedurat e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në OBT, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në muajin mars të këtij viti ka vizituar këtë mekanizëm.

Ajo ka paraqitur synimet e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me integrimin e mëtejmë në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë edhe OBT-në.

Ekspertë për çështje ekonomike e konsiderojnë jo të lehtë procesin e anëtarësimit në këtë organizatë por, megjithatë, sipas tyre, institucionet kompetente kanë dhe po zvarrisin këtë proces.

Muhamet Sadiku, udhëheqës i Qendrës për Promovimin e Zhvillimit, thotë se të qenët anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë është shumë i rëndësishëm për ekonominë dhe tregtinë e Kosovës. Sipas tij, është koha e fundit kur Qeveria e Kosovës duhet të vendosë për të aplikuar në këtë mekanizëm.

“Kjo organizatë është pjesë përbërëse edhe e sistemit global të tregtisë botërore. Prandaj, edhe pse Kosova është një shtet i vogël, me potenciale të kufizuara ekonomike dhe tregtare, sigurisht që Kosova ka nevojë të bëhet pjesë e këtij sistemi. Por, procedurat e anëtarësimit vërtet janë më të gjata dhe burokratike. Prandaj, Kosova, për ta arritur këtë qëllim, duhet të bëjë një punë shumë të rëndësishme”, thotë Sadiku.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Haki Shatri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se adresa e qëllimit të zvarritjes së këtij procesi, është te mungesa e aktivitetit të institucioneve përkatëse.

“Nuk ka pasur asnjë pengesë tjetër objektive ose të jashtme. Kjo ka dëmtuar ekonominë, ka dëmtuar bizneset, për aq sa Kosova është e inkuadruar në marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare. Kosova ka një import që kalon 2.5 miliardë euro në vit. Dhe, nga ky anëtarësim do t'u sillte përfitime bizneseve të caktuara. Ndërkaq, te pjesa e eksportit, përfitimet do të jenë në mënyrë proporcionale, pasi vëllimi është më i vogël”, konsideron Shatri.

Muhamet Sadiku thekson se Kosova është në fazën e zhvillimit dhe nuk ka nivel të lartë të eksportit, por anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm, do të përmirësojë imazhin e saj karshi investitorëve të huaj.

“Është e vërtetë se Kosova në këtë fazë të zhvillimit ka shumë pak për të paraqitur në anën e eksportit, por sido që të jetë, Kosova gjithnjë e më tepër duhet t'i fuqizojë lidhjet me rajonin dhe botën. Kjo sepse disa nga vendet e rajonit tashmë janë bërë pjesë përbërëse e OBT-së, andaj mendoj se edhe Kosova duhet të bëjë ecjen drejt organizatës globale”, thekson Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Shteti i fundit që ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë është Kazakistani. Ky vend ka 20 vjet që tenton të bëhet anëtar i kësaj organizate.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG