Ndërlidhjet

Kosova pa statistika për fëmijët që punojnë


Ilustrim
Ilustrim

Në Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, thuhet se në Kosovë gjatë vitit identifikohen rreth 200 fëmijë që kryejnë punë të rënda.

Jo rrallë herë nëpër rrugët e Prishtinës, por edhe në qytete tjera të Kosovës, rastis të shohësh fëmijë, të cilët kërkojnë lëmoshë apo punojnë punë nga më të ndryshmet.

Puna që bëjnë fëmijët, nënkupton shkeljen e të drejtave të tyre dhe është e ndaluar me Konventën ndërkombëtare.

Një nga ta, 13 vjeçe, të cilën e takuam në njërin nga sheshet e kryeqytetit tregon se punon duke mbledhur kanaçe për ta ndihmuar familjen. Ajo tregon se nuk kanë shtëpi, dhe jetojnë në një barakë, derisa shkollimin thotë se e ka ndërprerë:

"Punoj, mbledh dhe shes kanaçe. Me shitjen e kanaçeve i marr 2 euro, 3 euro, sa për bukë. Në shkollë nuk shkoj, nuk kemi para për t'u shkolluar.. Babi më ka vdekur...".

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, zyrtarja për mbrojtjen e fëmijëve që kryejnë punë të rënda, Selvete Sadiku, thotë se fëmijët që punojnë janë të përfshirë në sektorë të shumtë.

"Sa i përket numrit të fëmijë që kryejnë punë të rënda për vitin 2014 kanë qenë 206 fëmijë të identifikuar në gjithë Kosovën, si fëmijë që kryejnë punë të rënda".

Janë identifikuar si punë në bujqësi , punë pylltari, rrugë, grumbullim të mbeturinave, gërmime, shfrytëzim për aktivitetet në konflikt me ligjin, hoteleri dhe zejtari. Këta fëmijë janë të përfshirë në sektorë të ndryshme, derisa prin bujqësia, pasi që prindërit mendojnë se janë të mbrojtur, por këtyre fëmijëve iu rrezikohet shëndeti", thotë Sadiku.

Autoritetet e rendit thonë se sa i përket punëve të rënda të fëmijëve, nga viti 2005 është themeluar Komiteti kosovar për parandalimin dhe eliminimin e punëve të fëmijëve, me të cilin komitet udhëheq Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se institucionet e vendit posedojnë programe për integrimin e fëmijëve në shoqëri.

"Këtë komitet e përfaqësojnë një numër i institucioneve, duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Karshi kësaj dukurie, Policia e Kosovës ka disa detyra dhe përgjegjësi si: identifikimi i lokacioneve ku punojnë fëmija dhe raportimi në Qendrat për Punë Sociale".

"Sa i përket dukurisë së kërkim-lëmoshës si dukuri që përfshihet në punët e këqija për fëmijë, Policia e Kosovës nuk qëndron duarkryq, por zhvillon aktivitete me qëllim të largimit të fëmijëve nga rruga, sepse ne çdo moment ata mund të jenë viktimë e përfshirjes në krime të ndryshme dhe viktimë e trafikimit me qëllim lypsarinë, por edhe për qëllime tjera", bën të ditur Hoxha.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, (KOMF), thotë se në Kosovë nuk ka statistika të sakta se sa fëmijë punojnë punë të rënda. Ata, gjithashtu, bëjnë të diturse në Kosovë nuk ka buxhet të mjaftueshëm të ndarë për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje institucionale.

Ndryshe, sipas ligjeve në fuqi, fëmijët, anëtarët e familjes së të cilëve nuk punojnë dhe janë të regjistruar si të papunë në zyrat e punësimit, gëzojnë nga 40 deri 105 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes. Kurse, viteve të fundit çdo fëmijë merr 5 euro shtesë.

Ndërkaq, Selvete Sadiku thotë se asistenca sociale, shpeshherë nuk iu mjafton familjeve në nevojë, andaj pavarësisht kësaj, fëmijët e tyre detyrohen edhe të punojnë.

"Shumë familje që bëjnë kërkesë për asistencë sociale, janë kriteret që lejojnë nëse do ta gëzojnë ose jo. Por, asistenca nuk është edhe aq e lartë sa t'i përmbushë gjitha nevojat , dhe përkundër kësaj, fëmijët në shumë familje detyrohen të kryejnë edhe punë të rënda", shton ajo.

Në Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, e cila, nga viti 2002, shënohet çdo 12 qershor , vlerësimet e fundit globale sugjerojnë se rreth 120 milionë fëmijë, të moshës 5 deri në 14 vjeç, janë të përfshirë në punë.

Organizata Ndërkombëtare e Punës thotë se kjo dukuri është pasojë e varfërisë, mungesës së punës së denjë për të rritur dhe mungesës së mbrojtjes sociale.

XS
SM
MD
LG