Ndërlidhjet

Aktakuzë ndaj 11 personave për ndërtime të kundërligjshme


Prishtinë, foto arkiv
Prishtinë, foto arkiv

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave për vepra penale që ndërlidhen me ndërtimet kundërligjore. 10 prej të akuzuarve janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, ndërsa njëri është pronar i një kompanie private.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër ish shefit të sektorit për ndërtim, ish zyrtarit për përmbarim dhe ish inspektorëve për ndërtim në Sektorin e Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe kundër një pronari të një kompanie private për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 398 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, 10 të pandehurit kanë vepruar si një grup kriminal dhe duke shfrytëzuar pozitën e tyre zytare, kanë kryer veprat penale gjatë periudhës janar 2010- mars 2014. Me qëllim të dobisë personale, ata nuk kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore në Komunën e Prishtinës.

Ndërkaq, pronarin e një kompanie private aktakuza e ngarkon për falsifikimin e dokumentit, në bazë të së cilit ka ndërtuar një objekt kolektiv banesor pa lejen e ndërtimit.

“Të gjithë të pandehurit, si zyrtarë të Komunës së Prishtinës, së bashku u kanë mundësuar investitorëve që të ndërtojnë objekte kolektive banesore, në kundërshtim me ligjin për ndërtim, duke iu siguruar atyre dobi të mëdha materiale, si dhe nga shitja e banesave dhe lokaleve, dobi financiare në shumë të përgjithshme prej 28.503,922,00 €”, thuhet tutje në njoftim.

“Dobia e përfituar me anë të kryerjes së veprave penale është konfiskuar. Nga një i pandehur është konfiskuar vetura e markës Audi Q7, në vlerë prej 37.000,00 €, vetura e markës VË Golf në vlerë prej 12.500€, vetura tjetër e markës VË Golf në vlerë prej 16.800,00€, si dhe para në shumën prej 11.000,00 €. Nga një i pandehur tjetër është konfiskuar vetura e markës VË Passat, në vlerë prej 20.000,00€, si dhe para në shumën prej 10.560,00 franga zvicerane, 2.600,00$ amerikan dhe 1.880,00€. Ndërsa nga i pandehuri tjetër është konfiskuar banesa me sipërfaqe prej 76.3m2”.

Prokuroria Speciale për këtë rast ka filluar hetimet në prill të vitit 2014.

Prokurorja e rastit, nga radhët e prokurorëve vendës të Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka kërkuar që të 11 të pandehurit të shpallen fajtorë dhë të dënohen sipas ligjit.

XS
SM
MD
LG