Ndërlidhjet

SHBA të gatshme për armatim të rëndë në Evropë

  • RFE /RL

Ushtarë amerikanë

Ushtarë amerikanë

Shtetet e Bashkuara janë “të gatshme të vendosin tanke dhe makina luftarake të këmbësorisë dhe armatim tjetër të rëndë, për afro 5 mijë ushtarë amerikanë, në disa vende baltike dhe të Evropës Lindore”.

Duke i cituar zyrtarët amerikanë dhe të shteteve aleate, e përditshmja New York Times ka raportuar se propozimi, nëse miratohet, nënkupton se “për të parën herë prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur pajisje të rënda ushtarake në vendet më të reja anëtare të NATO-s në Evropën Lindore, që dikur ishin pjesë e sferës ruse të ndikimit”.

Më tutje, këtë lëvizje të Pentagonit, gazeta e ka përshkruar si “më të rëndësishmen në serinë e lëvizjeve” nga Uashingtoni dhe NATO-ja, për “ta zmbrapsur agresionin e mundshëm rus në Evropë”, pas okupimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në mars të vitit 2014. Ky aneksim, kryesisht, nuk është njohur ndërkombëtarisht.

Njëherësh, Ministria e Mbrojtjes e Polonisë ka njoftuar se ky vend po zhvillon bisedime me Shtetet e Bashkuara për stacionimin e depove të pajisjeve ushtarake amerikane në Poloni.

Kjo ministri, po ashtu, në rrjetin Twitter ka shkruar se ministri i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak, ka marrë siguri gjatë vizitës në Uashington, muajin e kaluar, se vendimi për vendosjen e depove do të merret së shpejti.

Ukraina, NATO-ja, dhe qeveritë perëndimore e akuzojnë Rusinë për mbështetje të separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës, me armatim, personel dhe stërvitje, në përpjekje për ta shkatërruar qeverinë properëndimore të Ukrainës.

Kremlini i përgënjeshtron këto akuza, duke pretenduar se ushtria e Rusisë nuk po lufton në konflikt, pavarësisht dëshmive në rritje, që e tregojnë të kundërtën.

Nga luftimet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve, në pjesën lindore të Ukrainës, që kanë filluar në prill të vitit të kaluar, janë vrarë më se 6,400 njerëz.

Duke e komentuar raportin në New York Times, një zyrtar i lartë amerikan, i tha agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara “do të parapozicionojnë pajisje të rëndësishme”, por ka refuzuar t’i komentojë detajet e raportit.

Të ashtuquajturat “rezerva të parapozicionuara” të pajisjeve, do të jenë të vogla në krahasim me ato që Rusia mund t’i mobilizojë kundër fqinjëve të vet, por mund të dërgojë sinjal të përkushtimit të Shteteve të Bashkuara.

New York Times e ka cituar ish-komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s, James Stavridis, i cili ka vlerësuar se ky është “ndryshim shumë domethënës në politikë”, në përpjekje për t’i risiguruar “aleatët e shqetësuar”.

I pyetur për këtë artikull, zëdhënësi i Pentagonit, Steve Warren, tha se “gjatë disa viteve të fundit, ushtria e Shteteve të Bashkuara e ka shtuar parapozicionimin e pajisjeve për trajnim dhe stërvitje me aleatët tanë të NATO-s dhe me partnerët”.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta shqyrtojnë lokacionin më të mirë për vendosjen e këtyre materialeve në konsultime me aleatët tanë”, ka shtuar koloneli Steve Warren, duke theksuar se nuk është marrë vendim për atë “se nëse ose kur të lëvizet me këto pajisje”.

Propozimi i Pentagonit duhet të miratohet nga sekretari i Mbrojtjes, Ashton Carter, dhe presidenti Barack Obama, raporton e përditshmja New York Times.

Muajin e ardhshëm, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pritet të takohen në Bruksel.

New York Times thotë se propozimi, ashtu siç është tash, sugjeron “se pajisja e vlefshme për një kompani, e mjaftueshme për afro 150 ushtarë, do të vendoset në tri shtete baltike: Lituani, Estoni dhe Letoni” dhe shton se pajisje “që mjafton për një kompani ose një batalion, me afro 750 ushtarë, do të vendoset në Poloni, Rumani, Bullgari dhe me gjasë edhe në Hungari”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG