Ndërlidhjet

Marrëdhëniet ekonomike Prishtinë - Tiranë, nën hijen e politikës


Ilustrim

Ilustrim

Marrëdhëniet ekonomike mes Republikës se Kosovës dhe asaj të Shqipërisë mbeten simbolike dhe nën hijen e agjendës politike, theksojnë përfaqësues të subjekteve ekonomike dhe ekspertë të ekonomisë.

Sipas tyre bashkëpunimi ekonomik karakterizohet vetëm nga shkëmbimet tregtare eksport – import, më një nivel të ulët.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, produktet e Kosovës të eksportuara në Shqipëri janë afër 4 milionë euro, përderisa importi i produkteve të Shqipërisë në Kosovë ka arritur mbi 19 milionë euro.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se duke marrë parasysh investimet e realizuara në infrastrukturë nga të dyja shtetet, sa i përket nivelit të bashkëpunimit ekonomik, sic thotë ai, më shumë ka arsye për brengosje se sa për kënaqësi.

Gërxhaliu ndërkaq konsideron se është koha e fundit kur ekonomia duhet të jetë prioritet i të dyja shteteve.

“Neve na duhen projekte konkrete, përmes së cilave projekte promovohen produktet edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë, përmes së cilave do krijohet stabilitet social, edhe në Kosovë, dhe Shqipëri".

"Pra përmes së cilave produkte dhe shërbimesh, promovohet brendi 'Made in Kosova' dhe 'Made in Shqipëria'. Është koha kur agjenda politika të çlirohet dhe ekonomia të jetë prioritet i prioriteteve të të dyjave shteteve”, thotë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Milazim Abazi, pohon se bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ekziston vetëm në aspektin politik, por jo në atë ekonomik.

Ai thotë se në mes të këtyre dy shteteve ende paraqiten barriera në aspektin ekonomik.

Sipas tij, mungon vullneti politik i të dyja qeverive që të rritet bashkëpunimi ekonomik.

“Përndryshe kosovarë, më tepër kanë bashkëpunim ekonomik më Serbinë se sa më Shqipërinë. Edhe pse më Serbinë nuk kemi asnjë bashkëpunim politik. Por, mungon një vullnet i mirë, si qeveri e Kosovës dhe si qeveri e Shqipërisë, në rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kemi mjaft për të ofruar për njëri tjetrin, edhe Shqipëria edhe Kosova në këmbime tregtare dhe ekonomike “, tha Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Për lehtësim të një bashkëpunimi ekonomik në mes të këtyre dy shteteve tashme janë nënshkruar shumë marrëveshje dhe memorandume.

Por, Gërxhaliu nuk është i kënaqur më zbatimin e tyre në praktikë. Ai thotë se të dy qeveritë duhet të kenë projekte konkrete.

“Është dobësi kombëtare të merremi veç më forma të tregtisë klasike, duhet të gjenden forma më të avancuara, por jo të jemi pretendues apo konkurrent në të dyja tregjet".

"Bashkërisht të dalim në tregun e tretë dhe më gjerë. Sepse, e tërë kjo infrastrukturë nuk e ka arsyeshmërinë e vet, në qoftë se e shfrytëzojmë vetëm për tre muajit e pushimeve verore, ku kosovarët shkojnë në Shqipëri “, thotë Gërxhaliu.

Sidoqoftë, në fillim të këtij viti, Prishtina dhe Tirana kanë arritur një marrëveshje për tranzit të përbashkët në pikën doganore në Vërmicë .

Ndërkaq, është vendosur që porti i Durrësit të jetë pika e vetme e kontrollit doganor për mallrat që hyjnë në Kosovë, pa pasur nevojë për procedura tjera në kufi.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG