Ndërlidhjet

SHBA: Sulm kundër militantit islamik në Libi


Mokhtar Belmokhtar
Mokhtar Belmokhtar

Shtetet e Bashkuara thonë se militanti i lartë islamik, Mokhtar Belmokhtar, i cili e kishte urdhëruar sulmin vdekjeprurës në një qendër të gazit në Alegjeri, para dy vitesh, ka qenë cak i një sulmi ajror amerikan në Libi.

Zëdhënësi i Pentagonit, Steve Warren, tha se sulmi, në shënjestër të të cilit ishte militanti Belmokhtar, ishte kryer nga një aeroplan i Shteteve të Bashkuara, më 13 qershor.

Megjithatë, ai nuk ka konfirmuar se Belmokhtar është vrarë.

Nga ana tjetër, Qeveria e Libisë e njohur ndërkombëtarisht, tha se militantë të tjerë janë vrarë gjatë operacionit në qytetin lindor, Ajdabiya në Libi.

U tha se sulmi është kryer “pas konsultimit me qeverinë tranzitore të Libisë”, me seli në qytetin Tobruk, që gjendet në pjesën lindore të këtij vendi.

Duhet theksuar se më parë ishte raportuar se militanti, Mokhtar Belmokhtar, me moshë në të 40-tat, ishte vrarë.

Ai dikur ishte personalitet i lartë në degën e al-Kadiës në Magrebin Islamik, por kohëve të fundit kishte vendosur ta formoj grupin e vet.

Në deklaratën e tij, zëdhënësi amerikan, Steve Warren, tha se “Belmokhtar ka histori të gjatë të aktiviteteve udhëheqëse terroriste si anëtar i al-Kaidës së Magrebit Islamik, ai është lider operacional i al-Kaidës të ndërlidhur me organizatën Al Murabitoun, në Afrikën veriperëndimore, dhe e mbanë besnikërinë e tij personale ndaj al-Kaidës”.

Koloneli Warren, po ashtu, tha se Belmokhtar “e ka drejtuar” sulmin në centralin e gazit, In Amenas, në vitin 2013, me ç’rast afro 800 vetë ishin rrëmbyer dhe së paku 38 të tjerë janë vrarë, shumica prej tyre shtetas të jashtëm.

Shtetet e Bashkuara kishin hapur akuza terroriste kundër personit Mokhtar Belmokhtar, lidhur me këtë sulm, dhe kishin ofruar shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin e tij.

Prej përmbysjes së liderit shumëvjeçar, Muammar Gaddafi, në vitin 2011, Libia është në një gjendje të kaosit.

Grupet militante rivale po luftojnë për ta marrë qeverisjen në këtë periudhë të vakuumit të krijuar.

Në deklaratën e saj, qeveria e Libisë tha se operacioni “ishte pjesë e mbështetjes ndërkombëtare, që është kërkuar për një kohë të gjatë, për luftimin e terrorizmit, që paraqet kërcënim të rrezikshëm për situatën rajonale dhe ndërkombëtare”.

Kjo qeveri thotë se do të dëshironte më tepër ndihmë në luftimin e terrorizmit, përfshirë edhe luftimin e grupit ekstremist, Shteti Islamik, që e ka marrë kontrollin ndaj qytetit qendror Sirte në Libi.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG