Ndërlidhjet

Rasti i Irfan Salihut, dënim apo kozmetikë?


Komisioni Disiplinor i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për largimin e Irfan Salihut nga detyra e imamit, në kohëzgjatje prej një vjet, konfirmojnë zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ky vendim është marrë në bazë të rregullores mbi përgjegjësinë disiplinore dhe materiale në kuadër të kësaj Bbashkësie.

“Në arsyetimin e Komisionit, është thënë se dënimi i shqiptohet të përmendurit, për shkak të plasimit të pavërtetave historike dhe statistikave dhe shifrave të paqëndrueshme shkencërisht, e që kanë të bëjnë lidhur me popullatën e Kosovës, diku në vitin 1445”, ka thënë Rexhepi.

Irfan Salihu, imam në xhaminë “Suzi Qelebiu” në Prizren, në një video të publikuar kohë më parë, gjatë një ligjërate të tij, ka deklaruar se “në Kosovë gjatë vitit 1445 kanë qenë vetëm një për qind shqiptarë, kurse turqit i kanë sjellë shqiptarët në Kosovë dhe më pastaj u kanë dhënë toka atyre”.

Ndryshe, dënimi me largim nga detyra e Salihut, vjen pas dy masave disiplinore që më parë ia kishte shqiptuar atij Komisioni Disiplinor i Bashkësisë Islame të Kosovës, pikërisht për deklarata të papërgjegjshme.

Rexhepi ka theksuar se këto deklarata të papërgjegjshme të Irfan Salihut, e sidomos kjo e fundit, kanë shkaktuar huti dhe shqetësime te njerëzit.

“Ato, në fakt, kanë shkaktuar huti, shqetësime dhe i kanë nxitur njerëzit që të bëjnë akuza të panevojshme si kundër imamëve, kundër njerëzve të fesë e deri ndaj organet e Bashkësisë Islame. Shqetësime këto krejtësisht ose skajshmërisht të panevojshme, por, në këtë rast të nxitura dhe natyrisht nga imami i apostrofuar”.

Rexhepi ka shtuar se deklarata dhe sjellje të papërgjegjshme ka pasur edhe më herët edhe nga imamë të caktuar, por sipas tij, BIK-u, nuk do t’i tolerojë.

Në anën tjetër, lidhur me dënimin që i ka dhënë Irfan Salihut, Komisioni Disiplinor i Bashkësisë Islame të Kosovës, profesor Ismajl Hasani, sociolog i religjionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se, është shqetësues fakti se e gjithë kjo e ngrit dilemën se a është ai dënim ekuivalent me deklaratën e Salihut.

Sipas tij, deklarata e Irfan Salihut, është “thellësisht antishqiptare, antinjerëzore dhe thellësisht shtrembërim i historisë dhe të kaluarës së shqiptarëve”.

Ai thotë se deklaratat e Salihut i prekin ndjenjat etnokulturore të shqiptarëve.

“Në këtë kontekst mendoj se është e habitshme kjo ekuivalencë e largimit të përkohshëm nga të ushtruarit e profesionit të imamit, të këtij njeriu, i cili paraqet rrezik potencial, që mbase, nesër, më një deklaratë tjetër antishqiptare, ndoshta edhe të na bëjë që ta harrojmë deklarimin e tij të mëhershëm”.

Por, profesor Hasani ka shtuar se nuk e sheh shumë problematik dënimin, siç e quan ai, kozmetik ndaj ish-imamit Salihu, sa pasimin e shkrimeve të ndryshme në rrjetet sociale, siç tha ai, të kinse “studiuesve neutral”, që flasin për islamofobinë.

E gjithë kjo, sipas tij, shkon në favor të kultivimit të një gjuhe,e cila më pas shkon në favor të paraqitjes së ekstremizmit fetar në Kosovë.

“Ne po shohim vetëm disa veprime kozmetike, të cilat, ndoshta më tepër po fuqizojnë njerëzit, të cilët kanë marrë mision në rrugë të tillë, të ushqimit të ekstremizmit fetar në këto koordinata, e për fat keq, mbase edhe të identifikimit tonë me lëvizjet ekstremiste të islamit politik”.

Bashkësia Islame e Kosovës, ka bërë të ditur se vendimi i Komisionit Disiplinor për largimin e Irfan Salihut nga detyra e imamit, është vendim i shkallës së parë.

Sipas BIK-ut, pala e pakënaqur, ka të drejtë të ankohet në Komisionin për parashtresa dhe ankesa të Kuvendit të BIK-ut në afat brenda 8 ditësh, nga dita e marrjes së vendimit.

XS
SM
MD
LG