Ndërlidhjet

Në pritje të vlerësimeve nga BE-ja për liberalizim vizash


Në mesin e muajit të ardhshëm, Kosovën dhe disa institucione të saj pritet t'i vizitojë një komision vlerësues i Bashkimit Evropian lidhur me përmbushjen e kritereve të kërkuara për liberalizmin e vizave për zonën Shengen në kuadër të BE-së.

Institucionet e Kosovës e kanë dorëzuar në Komisionin Evropian raportin përmbajtësor sa i takon përmbushjes së kritereve të dala nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

Në Ministrinë për Integrime Evropiane të Qeverisë së Kosovës, thonë se Kosova pret rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me kriteret e përcaktuara për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Fisnik Rexhepi, këshilltar i politik i ministrit Bekim Çollaku, tha për Radion Evropa e Lirë se pritet që Bashkimi Evropian t'i ndërmarrë veprimet e veta, ku ndër të tjera përfshihet edhe dërgimi i një komisioni vlerësues në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës kanë adresuar dhe kanë zbatuar të gjitha rekomandimet. Pa dyshim se pjesa kryesore ndërlidhet me miratimin e pakos së ligjeve të cilat janë kërkuar nga raporti i korrikut të vitit të kaluar”.

“Siç e dini, nëntë ligje tash janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Po ashtu kemi arritur edhe të aprovojmë disa dokumentet strategjike të cilat na janë rekomanduar”, tha Rexhepi.

Rexhepi tha se në dokumentin e dorëzuar në Komisionin Evropian, janë përfshirë aspektet teknike dhe pakot ligjore të domosdoshme për këtë proces.

“Në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit, në të gjitha rekomandimet kemi shënuar progres të theksuar dhe ne jemi të bindur që ketë progres ta demonstrojmë edhe para ekspertëve të Komisionit Evropian”, tha Rexhepi.

Pas vlerësimeve të cilat mund t’i bëjë komisioni vlerësues, do të bëhet një raport tjetër nga ana e Komisionit Evropian, i cili do të shqyrtohet nga Komisioni dhe nga shtetet anëtare dhe më pastaj do të shihet se cilët do të jenë hapat e ardhshëm, thonë në Ministrinë e Integrimit.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian, përveç kritereve teknike në shumë raste kanë përmendur edhe çështjen e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Lidhur me çështjen e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, Ilir Deda deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, tha se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim, por korrupsioni, sipas tij, është një nga çështjet e cila po i paraqet problem të madh Kosovës në shumë drejtime.

“Në procesin e liberalizimit të vizave është edhe kriteri i luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka të bëjë me sundimin e ligjit. Kjo nuk është pjesë e dokumentit të cilin ministria e ka dërguar në Komision. Ajo çka pritet është të shohim se cka do të vlerësojë Komisioni Evropian, por duhet ta kemi parasysh se liberalizmi i vizave për Kosovën varet nga 28 ministrat e Punëve të Brendshme të shteteve anëtare të BE-së”, tha Deda.

Ndryshe, zyrtarë të sektorit të politikës, ekonomisë dhe integrimit evropian, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë thënë se Kosova po hyn në fazën përfundimtare sa i përket liberalizimit të vizave.

XS
SM
MD
LG