Ndërlidhjet

A ka vdekur pakti NATO-Rusi?!


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin.

Kur NATO dhe Rusia kanë nënshkruar marrëveshjen historike të bashkëpunimit në vitin 1997, zyrtarët e kanë cilësuar atë si “veprim të zgjuar”, me të cilin ka marrë fund Lufta e Ftohtë dhe ka nisur të agojë bashkëpunimi “në një Evropë të re, me mundësi të pakufizuara”.

Gati dy dekada më vonë, kjo marrëveshje, e njohur si Akti Themelues NATO-Rusi, duket se ka vdekur, marrë parasysh ndërhyrjen e Moskës në Ukrainë dhe planet e Aleancës ushtarake për të forcuar më tej mbrojtjen në krahun e saj lindor.

“Marrëveshja de facto nuk po respektohet shumë mirë”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë Steven Pifer, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë.

Marrëveshja është zhytur në mosbesim dhe akuza të ndërsjella, prejse Rusia ka aneksuar Krimenë në mars të vitit 2014, si dhe për shkak të luftës midis forcave të Kievit dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, e cila ka shpërthyer muajin pasues.

NATO ka akuzuar Rusinë për hedhje në mbeturina të marrëveshjes për bashkëpunim dhe është përgjigjur duke forcuar praninë e saj në shtetet e Baltikut dhe Evropën lindore, ku frika e zgjerimit të mëtejshëm rus është e madhe.

Moska i konsideron të pabaza këto shqetësime dhe thotë se aleatët e NATO-s janë duke shkelur parimet e aktit të partneritetit, me vendosjen e trupave në shtetet lindore të Aleancës.

Rusia, këtë javë, ka akuzuar SHBA-në se bën përpjekje të minojë një dispozitë të rëndësishme të paktit, pasi gazeta New York Times ka raportuar se Uashingtoni është duke konsideruar vendosjen e tankeve dhe armëve të rënda në shtetet e Baltikut dhe Evropën lindore.

Sipas raportit të 13 qershorit, propozimi parasheh pajisje të mjaftueshme për rreth 150 ushtarë, të stacionuar në Lituani, Letoni dhe Estoni, si dhe pajisje të mjaftueshme për rreth 750 ushtarë, që do të pozicionoheshin në Poloni, Rumani, Bullgari dhe ndoshta Hungari.

“Sipas të gjitha paraqitjeve, Shtetet e Bashkuara, në koordinim me aleatët e tyre, kanë vendosur seriozisht të minojnë dispozitën kryesore të Aktit Themelues Rusi-NATO, me të cilin NATO-ja është zotuar se nuk do të vendosë forca luftarake në territoret e vendeve në fjalë”, ka thënë Ministria e Jashtme e Rusisë më 15 qershor.

NATO-ja ka thënë se mbetet e angazhuar rreth marrëveshjes për partneritet me Rusinë, edhe pse disa vende anëtare thonë se dispozita e paktit që ndalon “stacionimin shtesë dhe të përhershëm të forcave luftarake” ka dalë nga përdorimi qysh me aksionet e Rusisë në Ukrainë.

NATO-ja ka thënë se rotacioni i trupave tek anëtarët e saj lindorë përbën një prani “të qëndrueshme” në rajon dhe se niveli i dislokimit është nën pragun që parasheh Akti Themelues NATO-Rusi.

Në muajin shkurt, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s kanë rënë dakord për të ngritur gjashtë poste komanduese në Bullgari, Estoni, Letoni, Lituani, Poloni dhe Rumani dhe për të krijuar një forcë prej rreth 5,000 trupash, të aftë për pozicionim brenda dy ditësh, në rast të krizës.

Ata po ashtu janë pajtuar që të rrisin forcën e reagimit të shpejtë të Aleancës nga 13,000 trupa në 30,000.

Paragrafi i dytë i Aktit Themelues NATO-Rusi, megjithatë, thotë se NATO-ja dhe Rusia “nuk e konsiderojnë njëra-tjetrën kundërshtare”, por Steve Saideman, ekspert i mbrojtjes në Universitetin Carleton në Kanada, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjuha në këtë dokument “është kapërcyer” me ngjarjet që kanë ndodhur.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, qysh vitin e kaluar, ka thënë se “rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë të qartë” prejse është nënshkruar Akti Themelues NATO-Rusi. (v.tela)

XS
SM
MD
LG