Ndërlidhjet

Me doza të shumta që kërkohen gjatë ditës, gjaku është bërë një nga nevojat kryesore të pacientëve kosovarë.

Megjithatë, 80 për qind e nevojave të pacientëve, i mbulojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut, derisa për 20 për qind të pacientëve, ende vazhdojnë familjarët.

Hysen Sadriu, drejtor i Qendrës së Kosovës për Transfuzionin e Gjakut në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çdo vit shënohet rritje e dhuruesve të gjakut, derisa parashihet që deri në vitin 2020, nevojat e pacientëve për gjak t'i mbulojnë 100 për qind vullnetarët.

"Duhet falënderuar gjithë vullnetarët e gjakut që kanë shpëtuar jetë. Mendoj që duhet të promovohet dhurimi i gjakut nga vullnetarët në mënyrë që edhe të rinjtë të vetëdijësohen që të dhurojnë gjak. Dhurimi vullnetar është i kënaqshëm".

"Krahasuar me vitin e kaluar është rritur numri i dhuruesve vullnetarë. Kërkesat e pacientëve janë të përditshme dhe të njejta. Sasia me gjak nga vullnetarët bëhet më shumë kur shënohet ndonjë ditë e veçantë", tha Sadriu.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka deklaruar se kanë raporte korrekte ne Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, duke shtuar se çdo herë janë përmbushur kërkesat e pacientëve emergjentë. Bëhet fjalë për rastet emergjente, derisa për rastet selektive, duhet që familjarët të japin gjak për pacientët e afërm të tyre.

Për atë se sa mendojnë që është e rëndësishme të dhurosh gjak, flasin qytetarët.

"Çdokush mund të jetë pacient potencial që ka nevojë për gjak, andaj të jesh vullnetar është një gjest shumë human. Unë kisha pas shumë dëshirë të dëgjojë që çdo vit të rritet numri i atyre që dhurojnë gjak, në mënyrë që qendra e transfuzionit të mos ketë mungesë të gjakut", tha Fatmir Morina, dhurues i gjakut.

Syheda Latifi Hoxha, shefe e Sallës së Lindjes në Klinikën Gjinekologjike, njëherit koordinatore nacionale për cilësinë e shëndetit të nënës dhe fëmijës në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se asnjëherë nuk ka ndodhur që mungesa e gjakut të jetë shkaktar i vdekjes së grave.

"Në situatë specifike kur është e nevojshme dhënia e gjakut dhe produkteve të gjakut, në klinikën tonë nuk kemi hasur kurr në vështirësi. Tek ne ka raste kur nuk mjafton një dozë apo dy doza gjak, por gratë vinë në stad shumë të rëndë, ku edhefillon të ndryshojë përbërja e gjakut, derisa në ato raste jepen edhe derivate tjera të gjakut. Por, me një fjalë transfuzioni i gjakut kurr nuk ka qenë shkak i ndonjë përkeqësimi ose vdekjes së grave".

Sidoqoftë, gjaku, si një përbërës i rëndësishëm i trupit, nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi nga njerëzit vullnetmirë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG