Ndërlidhjet

Greqia rrezikon të dalë nga Eurozona dhe BE-ja


Ilustrim

Ilustrim

Banka Qendrore e Greqisë ka paralajmëruar sot se nëse Athina dështon të arrijë marrëveshje me kreditorët e saj ndërkombëtarë, një gjë e tillë do të çojë në daljen e mundshme të Greqisë nga Eurozona dhe Bashkimi Evropian.

“Dështimi për të arritur marrëveshje, do të shënojë fillimin e një drejtimi të dhimbshëm, që fillimisht bën që Greqia të dështojë në pagesën e borxheve dhe pastaj çon në daljen e vendit nga Eurozona dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Banka Qendrore greke, raporton AFP.

Në fillim të kësaj jave, Greqia dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë kanë dështuar të arrijnë marrëveshjen, e cila do t’i siguronte Greqisë këstin e fundit, në vlerë prej 7.2 miliardë eurosh, nga paketa e ndihmës ndërkombëtare.

Kreditorët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, kanë kërkuar reforma të mëtejshme në ekonominë greke, përfshirë rritjen e taksave dhe shkurtimin e rrogave të shërbyesve civilë dhe të pensioneve, para se të japin kështin e fundit.

Por, Qeveria majtiste e Greqisë i ka kundërshtuar këto reforma.

Në anën tjetër, ajo duhet t’i paguajë FMN-së borxhin prej 1.5 miliard eurosh deri në fund të qershorit.

Nëse dështon, Greqia do të përballet me falimentim.

XS
SM
MD
LG