Ndërlidhjet

Në Danimarkë zgjedhjet i fiton blloku i qendrës së djathtë


Ilustrim
Ilustrim

Partia opozitare e qendrës së djathtë në Danimarkë i ka fituar zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 18 qershor, duke premtuar frenim të emigracionit.

Me pothuajse 90 për qind të votave të numëruara, rezultatet tregojnë se blloku i liderit opozitar Lars Loekke Rasmussen së bashku me Partinë e Popullit të Danimarkës, do të marrin 90 ulëset e nevojshme për të pasur shumicën nga 179 ulëse gjithsej.

Kryeministrja daneze, Helle Thorning-Schmidt e ka pranuar humbjen, ndërkaq Rasmussen ka thënë se ai do të formojë qeverinë e re.

Transmetuesi shtetëror DR raporton se partitë opozitare kanë fituar 90 ulëse ndërsa partitë e qendrës së majtë 85.

Fushata ishte e fokusuar në shpenzimet për mirëqenie, ekonominë dhe emigracionin. Edhe Thorning-Shmidt dhe Rasmussen kanë premtuar se do të forcojnë më tej kontrollin mbi emigrantët.

Rasmussen, i cili edhe më herët ka qenë kryeministër, ka thënë se do të miratojë ligjin për kontrollet kufitare.

“Unë e dua një Danimarkë të hapur por unë e dua edhe një Danimarkë që është e mbyllur në mënyrë efikase për njerëzit që nuk e duan vendin tonë”, ka thënë Rasmussen.

XS
SM
MD
LG