Ndërlidhjet

Sllovenia, një nga investitorët më të mëdhenj në Kosovë


Institucionet e Kosovës kanë dënuar ashpër aktet e dhunës që janë bërë ndaj pronës së disa kompanive sllovene në Kosovë, të cilat kanë pasuar ndalimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Lubjanë të Sllovenisë, bazuar në një urdhër arrest të lëshuar nga Serbia, në vitin 2004.

Edhe përfaqësues të subjekteve ekonomike në vend kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke pohuar se shteti slloven është partner i fuqishëm ekonomik i Kosovës.

Sllovenia është njëri nga investitorët më të mëdhenj në Kosovë. Sipas shifrave zyrtare investimet direkte hyrëse në vitin e kaluar kanë qenë 216 milionë euro, kurse dërgesat e emigrantëve janë 2.2 për qind të remitencave të përgjithshme.

"Marrëdhëniet ekonomike mes këtyre dy shteteve janë të mira dhe ky bashkëpunim duhet të vazhdojë dhe mos të ndikohet nga politika ditore", thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Nazmi Bytyqi anëtar i Këshillit Drejtues në Odën Ekonomike të Kosovës, konsideron se ka raporte tregtare Kosovë – Slloveni, por ka hapësirë edhe më tej për t'u avancuar.

Bytyqi, i cili është udhëheqës i “ Petrol Oil Slovenia “ në Kosovë, investim i përbashkët me kompaninë sllovene, thotë se nuk duhet të rrezikohen investimet dhe bashkëpunimi mes këtyre dy shteteve.

Bizneset me pronësi sllovene që veprojnë në Kosovë, realizojnë investime për Kosovën, hapin vende të reja të punës rrjedhimisht ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve.

“Raportet mes Kosovës dhe Sllovenisë gjithmonë kanë qenë të mira. Kjo tregon edhe nga fakti i vizitës se fundit të kryeministrit të Kosovës dhe përfaqësuesve të bizneseve në Slloveni, ku është marrë një qëndrim ne mes të dy qeverive dhe odave ekonomike të të dyja shteteve, që të formohet një grup për përcjelljen e investimeve dhe biznesit Kosovë - Slloveni. Kjo vizitë mund të them se ka qenë tradicionale, por edhe shumë e frytshme”, tha Bytyqi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thekson se tregu i Kosovës është atraktiv për produktet sllovene.

Ramosaj ndërkaq konsideron se Kosova ka nevojë në fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.

“Duke marrë parasysh shkëmbimin tregtar me vendet tjera, pa dyshim se Sllovenia zë vend të rëndësishëm në aspektin e këmbimit tregtar. Edhe pse kemi një bilanc negativ në kuptimin e bilancit tregtar, pasi shumë më shumë importojmë se sa eksportojmë, tregu kosovar është shumë atraktiv për sllovenët".

"Po ashtu edhe në aspektin e marrëdhënieve bilaterale në kuptimin e investitorëve, qoftë direkt nga Sllovenia, qoftë në investime të përbashkëta slloveno-kosovare, vlen për t'u vlerësuar ky bashkëpunim", tha Ramosaj.

Se shkëmbimet tregtare në mes Lubjanës dhe Prishtinës zyrtare janë të favorshme, vërehet edhe në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, edhe pse në favor të shtetit slloven.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në muajin prill të këtij viti, importi i produkteve të Sllovenisë ka arritur në rreth 5. 5 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka qenë mbi 6 milionë euro.

Në raportin "Statistikat e Tregtisë së Jashtme" të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndërkaq thuhet se eksporti i produkteve të Kosovës në Republikën e Sllovenisë në prill të këtij viti ka arritur në 15 milionë euro, përderisa në prill të vitit 2014 ka qenë 3 milionë euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG