Ndërlidhjet

Qeveria informon ligjvënësit me ligjin për Gjykatën e Posaçme


Qeveria e Kosovës, ka shqyrtuar dhe miratuar unanimisht kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për t’i dërguar si informatë Kuvendit, projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Bëhet fjalë për draftin, që ndryshe quhet edhe si Projektligji për Gjykatën Speciale pwr Krime Lufte.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk bëhet fjalë për shqyrtim të miratimit të projektligjit, por është informim me përmbajtjen e tij për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky projektligj është hartuar në bazë të negociatave me Bashkimin Evropian.

Sipas Kuçit, në këtë draft nuk ka më hapësirë për negocim, kështu që me përmbajtjen e tij tani do të njoftohen Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se përgjigja përfundimtare, edhe e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë se ky është teksti i fundit në të cilin nuk ka hapësirë që të bëhen ndryshime.

"Një kontribut i madh i grupit ka qenë edhe heqja e fjalës dhe shprehjes gjenocid nga teksti i ligjit, të cilën e ka përmbajt në versionin e mëparshëm dhe përshtatja e ligjit me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto fusha. Ne kemi aprovuar në Qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës", ka deklaruar Mustafa.

Përderisa zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi ka vlerësuar që pas tërheqjes së çështjes apo termit gjenocid që ka qenë e përfshirë në propozimet e para, Qeveria mund ta pranojë këtë informatë për ta dërguar edhe si ekip qeveritar.

"Është me interes që të pranojmë për t’ia dërguar si informatë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjithashtu, duke marrë parasysh edhe kultivimin e raporteve tona me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me këtë proces ne evitojmë edhe pretendimin e kundërshtarëve të pavarësisë që kjo çështje të shkojë në Këshill të Sigurimit", është shprehur Thaçi.

Qeveria tani pret që konsensusi të arrihet edhe në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të përmbushet zotimi dhe marrëveshja ndërkombëtare që Kosova ka me Bashkimin Evropian për themelimin e këtyre dhomave të veçanta apo Gjykatës Speciale për krime e luftës.

Pritet që projektligji t'u shpërndahet deputetëve dhe pastaj Qeveria ta aprovojë atë si projektligj dhe t'ia procedojë Kryesisë së Kuvendit, e cila do ta caktonte më pas seancën e shqyrtimit të tij.

Bashkë me këtë projektligj, pritet të vihet në votim edhe amandamenti kushtetues për gjykatën speciale apo dhomat e veçanta.

Gjykata Speciale për krime lufte, pretendon të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 - 2000. (z.g.)

XS
SM
MD
LG