Ndërlidhjet

logo-print

Putin dhe Tsipras nuk bisedojnë për krizën e Greqisë


Foto arkivi

Foto arkivi

Kremlini ka bërë të ditur se në takimin midis presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe kryeministrit grek, Alexis Tsipras, nuk është biseduar për ndihmën financiare për Athinën.

I pyetur nëse ndihma financiare ka qenë temë diskutimi në takimin në margjina të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë: “Jo, jo, jo”.

Më herët, Tsipras ka thënë se do të ketë zgjidhje të krizës me borxhe të Greqisë, e cila do t’i lejojë vendit që t’i kthehet rritjes ekonomike, duke qëndruar në Eurozonë.

Tsipras po ashtu ka mirëpritur një samit urgjent të Eurozonës, të planifikuar për datën 22 qershor, vetëm 12 ditë para se Greqia duhet t’i paguajë Fondit Monetar Ndërkombëtar borxhin prej 1.8 miliard dollarësh.

Por, vendimi për të thirrur samitin është një shenjë e qartë se marrëdhëniet midis Greqisë dhe kreditorëve të saj janë tensionuar.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ka thënë se është i nevojshëm dialogu i mëtejshëm me “njerëz të rritur”.

Në fillim të kësaj jave, Greqia dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë kanë dështuar të arrijnë marrëveshjen, e cila do t’i siguronte Greqisë këstin e fundit, në vlerë prej 7.2 miliardë eurosh, nga paketa e ndihmës ndërkombëtare.

Kreditorët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, kanë kërkuar reforma të mëtejshme në ekonominë greke, përfshirë rritjen e taksave dhe shkurtimin e rrogave të shërbyesve civilë dhe të pensioneve, para se të japin kështin e fundit.

Por, Qeveria majtiste e Greqisë i ka kundërshtuar këto reforma.

XS
SM
MD
LG