Ndërlidhjet

Kush ka kapacitet projektues, merr kredi!


Ilustrim
Ilustrim

Në mungesë të kapaciteteve projektuese, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të përftojë kredi apo financim nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Ata tregojnë se institucionet financiare ndërkombëtare financojnë projekte kapitale kredibile, të cilat i kanë munguar Qeverisë së Kosovës.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova nuk ka ditur të shfrytëzojë anëtarësimin në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

“Deri më tani përftimi i Kosovës nga institucionet financiare ndërkombëtare, respektivisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, ka qenë më tepër simbolik. Kjo, për arsye se ne, si qytetarë të Kosovës, nuk kemi të njohur ndonjë projekt konkret, i cili është financuar drejtpërdrejt dhe përftimi i qytetarëve të Kosovës nuk ka qenë në përmasa më të mëdha. Zakonisht kanë qenë mbështetje për disa projekte, të cilat nuk e kanë dhënë efektin e dëshiruar”, ka theksuar Gashi.

Kosova që nga viti 2009 është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Derisa në vitin 2012, Kosova u anëtarësua edhe në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.

Përfaqësues të bizneseve kanë deklaruar se që nga anëtarësimi i Kosovës në mekanizma financiarë, nuk është parë ndonjë zhvillimin i hovshëm ekonomik i Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, shprehet mjaft kritik sa i përket shfrytëzimit të përfitimeve, të cilat dalin nga anëtarësimi i Kosovës në këta mekanizma financiarë ndërkombëtarë.

“Faji është te kapacitetet e mangëta të institucioneve tona që të draftojnë projekte në mënyrë që t’iu përshtaten kritereve të financimit që aplikohen nga ana e këtyre institucioneve financiare ndërkombëtare”, thekson Zeka.

Sidoqoftë, projektet kryesore nëpërmjet së cilave Kosovës duhet të aplikojë për kredi ndërkombëtare, vlerëson eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi, duhet të jenë projekte kapitale, sidomos në fushën e energjisë, minierave dhe mineraleve, projekte për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, si dhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Për shembull energjia, ne brenda një viti dhjetëra miliona euro taksa të qytetarëve të Kosovës importojmë energji elektrike, ndërsa ne jemi një vend me kapacitetet më të mëdha energjetike për kokë banori në Evropë, sa i përket thëngjillit. Pika tjetër është ne për 220 milionë euro po e mbajmë Trepçën me kapacitete simbolike dhe nuk jemi në gjendje të marrim një kredi ndërkombëtare dhe ta zhvillojmë këtë minierë”, thekson Gashi.

Ndryshe së fundi Kosova ka nënshkruar një marrëveshje prej 185 milionë eurosh me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila pret aprovimin e menaxhmentit të Bordit ekzekutiv të FMN-së, deri në fund të muajit korrik.

XS
SM
MD
LG