Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Racizmi mbetet mallkim për shoqërinë

  • RFE /RL

Barack Obama

Barack Obama

Racizmi mbetet “mallkim” për shoqërinë, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, duke komentuar vrasjen e nëntë afrikano-amerikanëve në një kishë në Karolinën e Jugut.

Krimi ka ndodhur të mërkurën në qytetin Çarllston, ndërsa autori i dyshuar, Dylann Roof, është ngarkuar me nëntë akuza për vrasje.

“Motivet e dukshme të sulmuesit na kujtojnë se racizmi mbetet një mallkim që duhet ta luftojmë së bashku”, ka thënë Obama.

“Kemi bërë përparim të madh, por duhet të jemi vigjilentë sepse ai është ende gjallë. Helmon mendjet e të rinjve, tradhton idealet tona dhe gris demokracinë tonë”, ka shtuar ai.

Të afërmit e nëntë viktimave janë përballur të premten me sulmuesin e dyshuar, në një seancë gjyqësore në Karolinën e Jugut, dhe i kanë kërkuar atij që të pendohet. Familjarët, po ashtu, e kanë falur atë.

“Ti ke marrë diçka shumë të vlefshme nga unë. Nuk do të flas kurrë më me të”, ka thënë një grua, e cila ka humbur nënën e saj nga të shtënat.

Presidenti Obama ka vlerësuar lart familjet e viktimave për faljen që kanë treguar. Ai ka thënë se kjo tregon “mirësinë e popullit amerikan”.

Obama po ashtu ka bërë thirrje për një debat të ri për kontrollin e armëve dhe ka kërkuar nga Kongresi që të ndjekë opinionin publik.

“Nuk është e mjaftueshme që të shprehim keqardhje; duhet të marrim masa”, ka thënë ai.

Një projekt-ligj i mëparshëm për ndalimin e armëve sulmuese nuk ka fituar mbështetjen e Senatit amerikan.

Familja e sulmuesit të dyshuar në kishën në Çarllston ka lëshuar, gjithashtu, një deklaratë përmes avokatit të saj.

“Fjalët nuk mund të shprehin tronditjen tonë, pikëllimin dhe mosbesimin për atë se çfarë ka ndodhur atë natë. Jemi të shkatërruar dhe tmerruar”, ka thënë familja Roof.

Një mik me ngjyrë i Dylann Roof u ka thënë mediave amerikane se një natë së voni, teksa kanë qenë duke pirë, Roof ka folur për sulme në Kolegjin e Çarllstonit.

Christon Scriven, 22 vjeç, ka thënë se Roof mund të ketë ndryshuar planet e tij, pasi ka menduar se kampusi i kolegjit është objektiv më i vështirë për t’u arritur.

Guvernatori i Karolinës së Jugut, Nikki Haley, ka thënë se shteti do të kërkojë dënim me vdekje për Dylann Roof.(v.tela)

XS
SM
MD
LG