Ndërlidhjet

Ka apo s’ka vdekje maternale, dy vitet e fundit?


Ilustrim
Ilustrim

Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), çdo ditë lindin rreth 40 foshnje. Ndërkaq, në gjithë Kosovën për një vit lindin rreth 30 mijë foshnje.

Në dy vitet e fundit, me gjithë lindjet e shumta, nuk është raportuar asnjë vdekje e nënave, gjatë shtatzënisë, gjatë lindjes dhe 42 ditë pas lindjes.

Syheda Latifi - Hoxha, shefe e sallës së lindjes,në Klinikën gjinekologjike në QKUK,njëherësh koordinatore nacionale për shëndetin e nënës dhe fëmijës, shpjegon për Radion Evropa e Lirë, shkaktarët e vdekjes së nënave gjatë periudhës së shtatzënisë dhe asaj pas lindjes.

“Një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve maternale në botë janë gjakderdhjet. Rreth 25 për qind janë para lindjes, derisa 75 për qind janë pas lindjes. Por, fatmirësisht, te ne, dy vitet e fundit e që janë rreth 30 mijë lindje në vit në gjithë Kosovën, asnjë vdekje nuk është raportuar. Pra, kjo shihet si një rezultat i mirë i punës që bëhet”.

“Prej rreth 30 mijë grave, nuk ka asnjë vdekje të raportuar maternale dy vitet e fundit . Rreth 15 për qind janë lindje me risk, për shkak se ndërlidhen me probleme të shtatzënisë, e kjo e fundit lidhet me probleme të mëdha e që mund të çojnë në vdekjen e nënës, që nga fillimi i shtazënisë deri në 42 ditë pas lindjes”, shpjegon ajo.

Por, jo edhe Sami Uka, zyrtar për shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, mendon se në Kosovë, gjatë dy viteve të fundit nuk ka vdekur asnjë grua, gjatë periudhës së shtatzënisë, gjatë lindjes dhe pas lindjes.

Ai thotë se në Kosove mungon sistemi i informimit shëndetësor, andaj nuk raportohen të gjitha rastet e vdekjeve.

“Ne, si organizatë ndërkombëtare, që jemimarrë nga vitit 2000 për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës, na gëzon një fakt i tillë, për mosvdekje maternale. Por, e kemi parasysh edhe atë se kemi probleme të mëdha me sistemin e informimit shëndetësor dhe raportimin e rasteve, andajnuk mendojmë se ka vend për vetëkënaqësi dhe e ruajmë një dozë të frikës se sa mund të jetë i besueshëm raportimi”, shprehet Uka.

Ai thotë se do të funksionalizohet një shërbim që do të merret me identifikimin dhe shqyrtimin e çdo vdekjeje maternale.

“Për këtë arsye, zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në bashkëpunim me zyrën e UNFPA-së , në Prishtinë, do të fillojë me qasjen e OBSH-së, të quajtur ‘Përtej numrave’, që merren me rishqyrtimin e cdo vdekjeje maternale me qëllim të nxjerrjes së mësimit prej atyre vdekjeve dhe jo të identifikimit të fajtorëve apo ndëshkimit...”, shton ai.

Ndërkaq Syhejda Latifi – Hoxha, shpjegon arsyet e uljes së numrit të vdekjeve të grave , derisa thotë se edhe vitet paraprake, numri i vdekjeve maternale ka qenë konform shteteve të regjionit.

“Një nga rezultatet e mira për këtë çështje, shihet edhe menaxhimi aktiv i fazës së tretë të lindjes, si një cilësi e mirë e punës që redukton gjakderdhjen e paslindjes. Kjo përfillet në shumë spitale regjionale, por edhe te ne".

"Për vdekjet maternale në vitet paraprake gjatë shtatzënisë, gjatë lindjes dhe 42 ditë pas lindjes, të shprehur në 100 mijë lindje të gjalla, vdekjet maternale kanë qenë konform me regjionin e Evropës. Nuk kemi qenë në numër më të madh krahasuar me këto shtete”, thekson ajo.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, edhe numri i vdekjes së foshnjave, ka rënë dukshëm viteve të fundit. Derisa shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë në vitin 2000 ka qenë 29 vdekje në 1 mijë lindje, 11 vjet pas, vdekshmëria ka rënë në 17 vdekje në 1 mijë lindje.

XS
SM
MD
LG