Ndërlidhjet

Shpenzimet marramendëse për "Shkupin 2014", vazhdojnë


Monument nga projekti "Shkupi 2014"
Monument nga projekti "Shkupi 2014"

Ndërtimi përmendoreve dhe objekteve të ndryshme, të cilat janë pjesë përbërëse eprojektit "Shkupi 2014", nuk ndalet, pavarësisht krizës politike dhe aferës së përgjimeve, për të cilën opozita thotë se ka nxjerr në sipërfaqe “veprimet kriminale të pushtetit aktual”.

Drejtoresha e organizatës joqeveritare Transparencë për Maqedoninë, Ana Janevska - Delleva, thotë se është e pakuptimtë që të vazhdojë hapja e më shumë tenderëve për realizimin e projektit “Shkupi 2014”, ndërkohë që i njëjti duhej të përfundonte që në vitin e kaluar.

Sipas Dellevës, hapësirë për dyshime lë ndarja e 500 mijë eurove plotësuese për enterierin e brendshëm të Muzeut të VMRO DPMNE-së, të cilat nuk ishin paraparë gjatë tenderimit të parë.

Për të mbetet e diskutueshme në bazë të çkaje rritet kostoja për ndriçimin e përmendoreve dhe monumenteve kulturore që janë pjesë përbërëse të këtij projekti nga 96 mijë euro sa ishin paraparë në marrëveshjen e qytetit të Shkupit me firmën që duhej të realizojë këtë projekt për 38 mijë euro më shumë, duke rritur koston e ndriçimit të objekteve në 134 mijë euro.

Mbetet për t’u shqyrtuar rritja e kostos së ndërtimit të rrethores së urës para ‘Holidej In’, për të cilën rrethore gjatë vitit 2014 ishin paraparë një milion e 150 mijë euro, dhe tani qyteti i Shkupit ka nënshkruar një marrëveshje plotësuese dhe harxhimet rreth realizimit të këtij projekti rriten për 260 mijë euro plotësuese”, thekson Delleva, duke shtuar se duhet bërë e qartë sa ka kushtuar projekti “Shkupi 2014”, ku është fokusuar qeveria aktuale për të investuar.

“Është koha e fundit që kryeministri Nikolla Gruevski, si inspirues politik i këtij projekti, përfshirë këtu dhe ministren e Kulturës, Elizabeta Kanceska -Milevska, dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Koce Trajanov, si realizues kryesorë të këtij projekti, të na kumtojnë kur do të përfundojë ky projekt , dhe një e herë e përgjithmonë të bëhet publik konstrukti financiar i realizimit të këtij projekti”, vlerëson Delleva.

Margarita Caca - Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg, konsideron se me zgjidhje juridike të krizës politike në vend, nënkuptohet dhe veprim i menjëhershëm i organeve kompetente.

Kjo, sepse nëse ekzistojnë dëshmi të caktuara, të cilat kanë dalë në pah përmes bisedave të përgjuara telefonike, duhet të fillojë menjëherë mbledhja e dëshmive të tjera që do të dëshmonin fajësinë ose pafajësinë e udhëheqësve të caktuar të apostrofuar nga opozita maqedonase se janë të përfshirë në afera të ndryshme korruptive.

“Nga mosveprimi i organeve gjyqësore me kohë, krijohet mundësi që dëshmitë e paraqitura nga bisedat e përgjuara të publikuara nga opozita,thënë kushtimisht ‘të humbasin’, dhe nesër kush do të përgjigjet? Për këtë duhet të mendojnë mirë të gjithë pjesëmarrësit, qoftë në mënyrë aktive ose joaktive, duke filluar nga përfaqësuesit e qeverisë dhe duke përfunduar me organet e sistemit gjyqësor, sepse veprat kriminale nuk vjetrohen si lëndë”, konsideron Margarita Caca Nikollovska.

Nga ana tjetër, Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, thotë se të gjithë qytetarët duhet të jenë të shqetësuar për harxhimet marramendëse rreth projektit “Shkupi 2014”, sepse në fund të fundit kostoja e këtij projekti ka impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së tyre.

“Mund të them se ne do të mbytemi në rërën tonë të ekonomisë së brendshme, të cilën vetë po e krijojmë, sepse lejojmë të subvencionohen nga qeveria ato degë, të cilat absolutisht nuk kanë perspektivë ose nuk sjellin kurrfarë benificioni, siç është realizimi i projektit ‘Shkupi 2014’”, thekson Visar Ademi.

Së fundmi, Qyteti i Shkupit nga buxheti komunal vetëm për zbukurimine hapësirave ku është vendosur përmendorja e Filipit II, para Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ka ndarë 318 mijë euro.

XS
SM
MD
LG