Ndërlidhjet

Kosova, nikoqire e Botërorit të Hendbollit


Në Kosovë, të shtunën, ka nisur Kampionati Botëror në Hendboll për shtetet në zhvillim (për meshkuj).

Ndonëse ndeshjet e para të këtij kampionati kanë nisur në orën 13 ndërmjet Estonisë dhe Britanisë së Madhe, si dhe ndeshja në orën 15: 15, ndërmjet Ishujve Faroe dhe Australisë, hapja solemne e kampionatit është bërë në orën 18.

Në prag të ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Armenisë, e cila është luajtur të shtunën në Prishtinë, hapjen solemne të Kampionatit Botëror në Hendboll për shtetet në zhvillim, e ka bërë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili me këtë rast ka shprehur “kënaqësinë e tij dhe të qytetarëve të Kosovës, që një kampionat i tillë po mbahet për herë të parë në Kosovë”.

“Ne kemi një përvojë dhe një traditë shumë të madhe në hendboll, 60 -vjeçare, lojtarë dhe lojtare të mrekullueshëm. Prandaj, ky është një shans i rëndësishëm që ne të prezantojmë, këtu para të gjithëve, vlerat jo vetëm të sportit kosovar, por edhe të sportit botëror. Unë ju uroj shumë suksese të gjithë sportistëve, ekipeve, si dhe gjithë përfaqësuesve tjerë të sportit këtu! Me këtë, e shpalli të hapur këtë kampionat”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Manfred Prauzer, zyrtar i lartë i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, ka theksuar se mbajtja në Kosovë e Kampionatit Botëror në Hendboll për shtetet në zhvillim, shpreson të jetë një hap drejt promovimit edhe më të madh të hendbollit në shkallë globale.

“Shpresoj që publiku do të ketë rast të shohë hendboll interesant dhe lojë fer. Të gjitha ekipeve ju dëshiroj prezantim të suksesshëm, në atmosferë sa më miqësore”, ka theksuar Prauzer.

Të gjitha ekipeve pjesëmarrëse në këtë kampionat të hendbollit, mirëseardhje u ka dëshiruar kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini.

“Federata e Hendbolli ( të Kosovës) ka rastin që të jetë nikoqire e reprezentacioneve nga të gjitha kontinentet e globit, të bashkuar pikërisht në Kosovë dhe pikërisht rreth sportit tonë, që e duam shumë, hendbollit”, ka thënë Saraçini.

Ndeshjet e Kampionatit Botëror në Hendboll për shtetet në zhvillim do të zhvillohen në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë dhe në Palestrën e Sportit ‘Shani Nushi’ në Gjakovë.

Kryetarët e të dy këtyre komunave kanë shprehur mirëseardhjen për mysafirët pjesëmarrës në këtë eveniment sportiv.

Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës, e ka vlerësuar Kampionatin Botëror të Hendbollit, si ngjarjen më të madhe sportive që është organizuar në Kosovë dhe kryeqytetin e saj.

“Pas Kampionatit Ballkanik të të rinjve në ping-pong, javën e kaluar, tani vjen evenimenti më i madh sportiv ndërkombëtar që kemi organizuar ndonjëherë në Prishtinë dhe në Republikën e Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e komunës së Gjakovës ka theksuar se për këtë komunë është kënaqësi që të jetë një nga qytetet nikoqire të këtij kampionati.

“Derisa Kosova është duke shkuar sigurt drejt ndërkombëtarizimit të sportit, kjo ngjarje shënon një standard të ri për ne. Ndërsa, për ne si komuna, është kënaqësi t’ju mirëpresim dhe e dimë që do t’ju japim arsye që të ktheheni prapë që të na vizitoni”, ka thënë Kusari - Lila.

Në edicionin e parë të Kampionatit Botëror në Hendboll për shtetet në zhvillim, që po mbahet në Kosovë, po marrin pjesë 16 shtete: Kosova, Australia, Ishujt Faroe, Armenia, Andorra, Bullgaria, Kameruni, Kina, Estonia, Britania e Madhe, Irlanda, Letonia, Shqipëria, Malta, Moldavia e Uruguai.

Eugen Saraçini, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se Kampionatin Botëror i Hendbollit që po mbahet në Kosovë, i takon formatit të vendeve ku hendbolli po zhvillohet.

“Çka do të thotë kjo? Këto shtete, jo që janë shtete me hendboll të dobët, por janë shtet që kanë zhvilluar hendbollin shumë më herët. Është evidente që këto vende janë pjesë e projekteve të ndryshme, të cilat ndihmohen nga Federata Ndërkombëtare e Hendbollit dhe kështu është krijuar një fond i ekipeve përfaqësuese të shteteve të ndryshme, të cilat quhen ‘vende në zhvillim të hendbollit’”, ka theksuar Saraçini.

Ky kampionat do të zhvillohet deri më 26 qershor.

Federata e Hendbollit të Kosovës është pranuar në Federatën Evropiane të Futbollit me të drejta jo të plota në vitin 2004. Pas një dekade, me 2104, ajo u bë pjesë me të drejta të barabarta e Federatës Evropiane të Hendbollit dhe më pas edhe të Federatës Botërore të këtij sporti.

XS
SM
MD
LG