Ndërlidhjet

VOX

VOX: Ëndrra “Schengen” e të rinjve


Ilustrim

Ilustrim

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, deklarojnë se vendi i ka plotësuar kriteret e parashtruara nga Bashkimi Evropian lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave. Ata, madje, thonë se gjatë vitit të ardhshëm kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm në vendet e zonës "Shengen".

Mirëpo, të rinjtë e Kosovës, nuk janë fare optimistë se brenda një periudhe të shkurtër do të mund të lëvizin lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian.

Disa nga të anketuarit për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, shprehin opinionet e tyre në lidhje me liberalizimin, e të tjerë tregojnë përvojat e tyre.

Venhar Sokoli nga komuna e Rahovecit, i cili studion në Fakultetin Juridik në Prishtinë, mendon se brenda tre vjetësh ndoshta qytetarët nga Kosova nuk do të kenë nevojë për të pasur vizë për të shkuar në ndonjë vend të BE-së.

“Deri më tash nuk më ka rënë rasti që të aplikoj për vizë, edhe pse e kam pasur në mendje. Ajo që më ka shtyrë për të mos aplikuar, kanë qenë procedurat e shumta që kërkohen në ambasada. Megjithatë, në një të ardhme të afërt më duhet të aplikoj pasi që mendoj se duhet të shkoj diku jashtë Kosovës për studime. Kurse, për atë se edhe sa kohë ne mund të lëvizim pa viza, mendoj që duhet të kalojnë edhe 2 deri në 3 vjet”, thotë Venhari.

Edhe Arlinda Halilaj thotë se për shkak të dokumenteve të shumta që kërkohen për t’u pajisur me një vizë, nuk ka aplikuar asnjëherë. Ajo tregon se përpos Shqipërisë, nuk ka vizituar ndonjë shtet tjetër.

“Për vizë nuk kam aplikuar në asnjë ambasadë. Ndoshta pas pesë viteve nuk do të kemi nevojë për viza. Në Kosovë nuk është duke punuar askush për të mirën e vendit”, shprehet Arlinda.

Gazmend Gubetini shprehet pesimist kur pyetet se kur mendon se ai mund të lëvizë në vendet e BE-së pa viza.

Kurrë, nuk kemi shpresë fare. Me vetë faktin që shteti nuk funksionon në çdo aspekt, do të thotë se nuk ka shpresë kurrë’, thekson Gazmendi, i cili është absolvent në Fakultetin Juridik.

Edhe Mimoza, një studente e Gjuhës Shqipe, në Fakultetin e Filologjisë, thotë se brenda 5 vjetëve ndoshta mund të ketë ndryshime në këtë drejtim:

“Duke e pasur parasysh situatën në Kosovë, ndoshta brenda 5 vjetëve. Ka shumë çështje që për Kosovën kanë zgjatur me vjet dhe edhe kjo çështje nuk e besoj se bëhet shpejt për kosovarët”.

Ngjashëm shprehet edhe Faton Asllani, student në Fakultetin Juridik:

“Ndoshta edhe dy vjet mund ta kemi të drejtën për liberalizim, kurse për integrim ne BE është tjetër gjë. Unë nuk kam pasur vizë kurrë. Po ashtu, në këtë drejtim nuk është vetëm puna e institucioneve, por edhe e shteteve të BE-së, sepse ato ndoshta edhe mund të na fusin në 'Shengen' pa i plotësuar të gjitha kushtet na bëjnë lehtësime. Mendoj se brenda dy vjetësh mund të hyjmë në 'Shengen', kurse për t’u bërë pjesë e BE-së është rrugë më e gjatë”.

Veton Bytyçi thotë se di shumë raste kur kolegëve të tij studentë dhe familjarëve nuk iu kanë dhënë vizat nga shumë ambasada të huaja në Kosovë. Ai thotë se po ta kishte një vizë, do të kërkonte mundësi për të studiuar në një nga vendet e BE-së.

“Di shumë raste kur ambasadat ua kanë refuzuar vizat studentëve dhe familjarëve të mi. Nuk mendoj se këtu është problemi tek institucionet e Kosovës, por faji është tek ambasadat. Po të kisha një vizë, do të kisha studiuar diku në Evropë. Kam pasur një rast që të shkoj në Kroaci”, tregon Vetoni.

Kosova pret rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me kriteret e përcaktuara për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministria për Integrime Evropian në Qeverinë e Kosovës, ka përmbyllur tashmë raportin e dytë ku përfshihet përmbushja e kritereve evropiane të përcaktuara nga misioni vlerësues i Bashkimit Evropian.

Në mesin e muajit të ardhshëm, disa institucione të Kosovës pritet t'i vizitojë një komision vlerësues i Bashkimit Evropian, lidhur me përmbushjen e kritereve të kërkuara për liberalizmin e vizave.

Ndryshe, zyrtarë të sektorit të politikës, ekonomisë dhe integrimit evropian, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë thënë se Kosova po hyn në fazën përfundimtare sa i përket liberalizimit të vizave.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG