Ndërlidhjet

Yoga - arti indian që promovon mirëqenien

  • RFE /RL

Indi

Indi

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, u ka prirë mijëra qytetarëve në një program të ushtrimeve Yoga, në kryeqytetin Nju Delhi. Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Yoga-s, për herë të parë në histori.

Modi ka bërë zgjatje, përkulje dhe ushtrime të frymëmarrjes, ashtu si edhe pjesëmarrësit e tjerë.

Autoritetet kanë thënë se 35,000 njerëz kanë marrë pjesë në sesionin 35-minutësh. Zyrtarët e rekordeve botërore kanë thënë se do ta përfshijnë këtë ngjarje në Librin Guiness, si klasën më të madhe të Yoga-s në një vend të vetëm.

Për sigurinë e saj janë përkujdesur mijëra policë dhe paraushtarakë.

Modi u ka thënë pjesëmarrësve se po “stërvisin mendjen për të nisur një epokë të re të paqes dhe harmonisë”. Ai ka thënë se programi është “për të mirën e njerëzimit, për një botë pa tensione dhe për përhapjen e mesazhit të harmonisë”.

Yoga është një art i lashtë indian. Kryeministri Modi, një entuziast i Yoga-s, i cili thotë se e praktikon çdo ditë atë, ka lobuar fuqishëm në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 21 qershorin Ditë Ndërkombëtare të Yoga-s.

Kjo ditë po shënohet pothuajse në gjithë botën. Është thënë se nga 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, sesione masive të Yoga-s do të mbahen në 192 vende; përjashtim bën Jemeni, për shkak të konfliktit atje.

Për Ditën Ndërkombëtare të Yoga-s, ambasadori i Indisë në Kombet e Bashkuara, Asoke Kumar Mukerji, ka thënë:

“Më 21 qershor dita është më e gjatë. Për praktikuesit e Yoga-s, kjo është dita kur ju keni maksimumin e energjisë, në dispozicion nga dielli, sepse dielli këtë ditë shkëlqen më gjatë se në të gjitha ditët e tjera të vitit”.

Rëndësinë e ushtrimeve Yoga e ka theksuar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Më lejoni të citoj fjalët e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, i cili ka thënë: në këtë epokë të trazirave dhe konfliktit, Yoga do të na ofrojë një mjet të thjeshtë, të arritshëm dhe gjithëpërfshirës për promovimin e mirëqenies”.

“Pa nevojën e pajisjeve të shtrenjta apo ndërtimin e vendeve të caktuara, Yoga bashkon komunitetet dhe u ndihmon atyre të gjenerojnë respekt të ndërsjellë’. Kjo është e veçanta e ushtrimeve Yoga. Vërtet, të gjithë mund të përfitojnë prej tyre”, ka thënë drejtorja ekzekutive e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Nata Menabde.

Ekspertët po ashtu thonë se Yoga mund t’iu ndihmojë njerëzve në situata emergjente, për të gjetur lehtësim nga stresi.(v.tela)

XS
SM
MD
LG