Ndërlidhjet

Punëkërkuesit e pakualifikuar


Ilustrim
Ilustrim

Mbi 270 mijë është numri i punëkërkuesve në zyrat e regjistrimit për punësim në tërë territorin e Kosovës, kurse shumica prej tyre janë të pakualifikuar.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se mbi 150 mijë është numri i punëkërkuesve të pakualifikuar, mbi 77 mijë i atyre me shkollë të mesme, ndërkaq të kualifikuar janë 22 mijë dhe me arsimim të lartë 6,840 punëkërkues.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit. Sipas tyre, qytetarët që kanë nevojë për punë, nuk besojnë se mund të përfitojnë ndonjë punë nga regjistrimi.

Një qytetare që është e papunë dhe nuk është e regjistruar në zyrat e punësimit është Ardiana nga Prishtina, e cila ka përfunduar Fakultetin Ekonomik, drejtimin Banka dhe Financa.

Ardiana thekson se është shumë vështirë për të gjetur një vend pune në Kosovë, pavarësisht kualifikimit apo edhe nëse je e regjistruar në institucionet kompetente.

“Edhe pse kam përfunduar fakultetin, është shumë problem të gjej një vend pune. Edhe sikur të kem përvojë pune, prapë se prapë kërkimi i punës, apo punësimi në profesionin adekuat, është shumë problem të sigurohet”, tregon Ardiana.

Edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se numri i të papunëve që nuk janë të regjistruar në zyrat e punësimit, është deri 20 për qind më i lartë.

“Ka shumë më shumë të papunë, të cilët ose nuk janë paraqitur ose janë paraqitur, janë zhgënjyer dhe janë çregjistruar. Por, një përqindje e caktuar është se vazhdon studimet post-diplomike me shpresë se gjejnë ndonjë punë dhe nuk regjistrohen”, thotë Tahiri.

Megjithatë, profesori Tahiri thotë se autoritetet kompetente nëpërmjet projekteve të ndryshme duhet të aftësojnë për profile të nevojshme për tregun e punës, qytetarët e regjistruar në zyrat e punësimit.

Në këtë kuadër, ai konsideron se nevojitet një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Mendoj se Ministria e Arsimit duhet t’i rrisë format e ndryshme të specializimeve të niveleve të mesme, në kuptimin e zanateve të ndryshme, si automekanik, ujësjellës etje. Në këtë formë, i absorbon edhe tregu i Kosovës që ka nevojë, por fati është më i madh që i absorbon tregu evropian”, sqaron Tahiri.

Përgjegjëse për aftësimin e punëkërkuesve është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kuadër të së cilës funksion Divizioni për Aftësime Profesionale. Ky divizion propozon, harton dhe siguron zbatimin e dokumenteve të politikave për aftësimin profesional të të papunëve dhe riaftësimin e të interesuarve për tregun e punës.

Kjo ministri ka 8 qendra rajonale për aftësime profesionale. Numri i atyre që regjistrohen vazhdon të mbetet i lartë, por trajnime brenda një viti, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, mund të ndjekin mbi 3 mijë punëkërkues.

Sipas statistikave zyrtare për vitin 2013 shkalla e papunësisë në vend arrin në 30 për qind, kurse sipas organizatave joqeveritare niveli i papunësisë në Kosovë kalon në mbi 50 për qind.

Ndryshe, në vit në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

XS
SM
MD
LG