Ndërlidhjet

Evropa punon për të mbajtur Greqinë në Eurozonë


Ilustrim

Ilustrim

Një ditë para samitit urgjent të Eurozonës, udhëheqësit evropianë kanë përtërirë përpjekjet për të arritur marrëveshje midis Greqisë dhe kreditorëve të saj, e cila do t’i ndihmonte Athinës të shmangë dështimin e pagesës së borxheve dhe daljen potenciale të saj nga zona euro.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ka zhvilluar të dielën biseda të ndara telefonike me presidentin e Francës, Francois Hollande, kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Zyra për media e Tsipras ka thënë se ky i fundit “u ka prezantuar tre liderëve propozimin e Greqisë për marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila do të siguronte zgjidhje të përhershme dhe jo vetëm shtyrje të problemit”.

Më vonë, Hollande u ka thënë gazetarëve në Millano, ku ka takuar kryeministrin e Italisë, Matteo Renzi, se duhet bërë gjithçka për të mbajtur Greqinë në Eurozonë.

Hollande ka thënë se “nëse grekët lënë Eurozonën, një gjë e tillë nuk do të ishte pozitive as për grekët, as për evropianët”.

Greqia ka më pak se dy javë kohë për të arritur marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë; në të kundërtën, nuk do të mund t’i paguajë borxhin Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vlerë prej 1.6 miliard eurosh.

Kreditorët e saj – Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane – nuk janë të gatshëm të zhbllokojnë fondet e ndihmës derisa Greqia të mos bie dakord për reformat.

XS
SM
MD
LG