Ndërlidhjet

"Kosova është shtet i varfër dhe nuk po arrin të krijojë kushtet e nevojshme për sportistët".

Kështu thonë njohësit e sporteve në Kosovë, duke pohuar se shteti i Kosovës, duhet të investojë sa më shumë për kushtet e sportistëve dhe me pas të kërkojë rezultate nga ta.

Mithat Belegu, ish-gjyqtar ndërkombëtar i basketbollit, konsideron se sa i përket gjendjes së sportit, duke i analizuar faktet dhe nivelin mbarkombëtar, Kosova nuk është afër nivelit në të cilin do të duhej të ishte.

“Jemi shtet i cili nuk krijon kushtet elementare për zhvillimin e sporteve. Sporti sot është shkencë. Kërkon një sakrifikicë jashtëzakonisht të madhe. Kërkon kushte super të volitshme; ne të gjitha ato nuk i kemi, prandaj edhe rezultatet janë të tilla. Për t'u krijuar një sportist kulminant duhen shtatë, tetë vjet, e ne mendojmë që brenda natës mund të krijohet një sportist”, tha Belegu.

Belegu konsideron se përveç pasojave të cilat mund t’i ketë lenë e kaluara nga izolimi i viteve të 90-ta, shteti i Kosovës nuk ka interesim të investojë në sport.

“Shteti nuk është në gjendje të krijojë kushtet optimale. Mirëpo, duket se edhe interesimi nuk qëndron, nuk merret shteti ynë me sportin. Duhet të ndryshojë qasja ndaj sportit. Nëse duam rezultate, duhet të krijojmë edhe kushte, duhet të investojmë. Pa investim nuk mund të presim rezultate”, tha Belegu.

Situata me të cilën ballafaqohet sporti dhe në përgjithësi sportistët e Kosovës është shumë e vështirë, thotë Malsor Gjonbalaj, udhëheqës i Qendrës për Trajnime dhe Edukim në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Gjonbalaj thotë se në vitet e fundit ka pasur disa ndryshime në sportin e Kosovës, sidomos në infrastrukturë, por sipas tij, ende mbeten shumë punë për t'u bërë.

“Unë mendoj se mungesa e infrastrukturës është kushti kryesor momentalisht dhe puna profesionale. Janë dy faktorët kyç, të cilët kanë ndikuar edhe në paraqitjen e tanishme që po e shohim në Baku, të cilat padyshim që do të duhej të përmirësohen në të ardhmen", pohoi Gjonbalaj.

Gjonbalaj konsideron se krahas obligimeve që kanë institucionet përkatëse për zhvillimin e sportit, edhe vetë sportistët dhe klubet e tyre duhet të marrin përgjegjësi rreth aftësimit dhe zhvillimit.

Sipas Malsor Gjonbalajt, aktualisht Kosovës i duhet një koordinim i mirëfilltë i institucioneve qendrore me ato komunale dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës për të ngritur kapacitetet në sport.

“Kuvendet komunale mendoj se do të duhej të bënin më shumë në zhvillimin e sportit, qoftë duke intervenuar në infrastrukturë, qoftë duke i ndihmuar klubet në zhvillimin e kapaciteteve të tyre, por edhe financiarisht duke mundësuar që të pajisen me mjetet e nevojshme për të kryer funksionin e tyre”, tha ai.

Profesionistët e sporteve thonë se krahas shumë prioriteteve që duhet të kenë institucionet e vendit për sportin, Ligji për sponsorizimin e sporteve është më se i domosdoshëm që të miratohet sa më parë.

Pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, sportistëve të Kosovës iu është bërë e mundur pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet që organizohen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Komiteti Olimpik Evropian.

Kosova po merr pjesë në Baku të Azerbajxhanit në lojërat Evropiane.

Komiteti Olimpik i Kosovës, ka njoftuar se Kosova në këto lojëra po merr pjesë me 19 sportistë nga 9 sporte: xhudo, karate, shenjëtari, mundje, boks, shigjetari, not, çiklizëm dhe tekuando.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG