Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi pa të drejtën e ndërhyrjes në projektligjin për Gjykatën Speciale


Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës po ndjekin një procedurë të veçantë për miratimin e projektligjit për dhomat e specializuara, të njohur ndryshe edhe si Gjykata Speciale për krime lufte.

Qeveria, u ka dorëzuar tashmë deputetëve projektligjin e draftuar në negociatat me Bashkimin Evropian, por i cili thuhet se nuk mund të ndryshohet tutje. Kështu që, Kuvendit tani i mbetet ta miratojë apo refuzojë atë.

Krejt çka pala nga Kosova arriti të ndryshojë nga drafti i propozuar, ishte fshirja e termit gjenocid për krimet që pretendohen të hetohen nga dhomat e veçanta apo Gjykata Speciale.

Në ditën e procedimit të këtij projektligji, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, bëri më dije se nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është thënë se ky është drafti final, andaj ai nuk mund të pësojë ndryshime të mëtutjeshme.

"Përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zbogar dhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson kanë dërguar draftin final, sipas tyre. Pra, ky është drafti që mund ta marrim apo jo. Ky është drafti, që unë mendoj se tanimë nuk ka hapësirë për negocim nga ekipi teknik apo ekipi i ekspertëve", ka thënë Kuçi.

Projektligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, tashmë u është dorëzuar deputetëve, vetëm si informatë, pa të drejtën e ndërhyrjes.

Bashkë me të, qeveria ka proceduar edhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të që do të akuzohen nga kjo gjykatë.

Deputeti Armend Zemaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, ka vlerësuar se me gjithë ndjeshmërinë e tij, Ligji për Dhomat e Specializuara do të duhej të miratohej nga Kuvendi bashkë me amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

"Besoj se disponimi i përgjithshëm është që të procedohet me ndryshimet kushtetuese dhe t'ua japin vizën formimit të këtyre dy dhomave të specializuara. Besoj që gjithçka do të kryhet në afatin e duhur, duke besuar gjithnjë që Kosova është vend ku sundon rendi dhe ligji dhe në këtë aspekt duhet ta ndërtojmë edhe partneritetin me miqtë ndërkombëtar", ka thënë Zemaj.

Gjykata Speciale për krime lufte është kundërshtuar nga të tri partitë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.

Kryetari dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka vlerësuar se themelimi i këtyre dhomave të veçanta paraqet ndërhyrje në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe kjo, sipas tij, nënkupton edhe ndërhyrje në sovranitetin e vendit.

"Deputeti e ka përgjegjësi, zotim, por edhe betim kur e merr mandatin, që ta mbroj sovranitetin e Republikës së Kosovës. Cilido deputet që me vetëdije voton për ta cenuar apo minuar këtë sovranitet, atëherë ai më nuk mund të jetë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës", ka theksuar Ymeri.

Ndonëse duke dërguar informatë dhe jo projektligj për shqyrtim, qeveria ka krijuar një situatë të paparashikueshme, megjithatë pritjet e koalicionit qeverisës janë që procedurat të përmbyllen deri të premten, më 26 qershor, kur mund të hidhet në votim në Kuvend amandamenti kushtetues dhe projektligji për Dhomat e Specializuara.

Këto Dhoma të Specializuara apo siç njihet, Gjykata Speciale për krime lufte, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 - 2000.

Dhomat e Specializuara do të jenë nën kompetencë të plotë të prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtar.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG