Ndërlidhjet

Kuvendi i kthehet Gjykatës Speciale, revoltohet opozita


Kuvendi i Kosovës pritet të nxjerrë për miratim, të premten më 26 qershor, amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Ky amandament i propozuar nga Qeveria e Kosovës, është ri-proceduar për miratim në Kuvend, pasi që më 29 maj, ishte shtyrë për një seancë tjetër.

Në atë kohë, shtyrja ishte arsyetuar me faktin se amandamenti do të miratohej bashkë me projektligjin e negociuar me Bashkimin Evropian për dhomat e specializuara.

Projektligji për dhomat e specializuara tashmë është final. Ai i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës nga Brukseli pa të drejtën e ndërhyrjes në të.

Por, ky projektligj nuk është proceduar për seancën e 26 qershorit, ngase qeveria ua kishte përcjellë deputetëve vetëm si informatë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Kosova ka mbërritur deri në këtë fazë të pavarësisë duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar, andaj ai është vënë në favor të themelimit të Gjykatës Speciale, pavarësisht sfidave.

"Historia e çlirimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës është histori e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare dhe ne duhet në mënyrë të vendosur ta ruajmë këtë partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, kisha apeluar veçanërisht që në gjithë këtë situatë të cilën do ta kalojë populli ynë, një pjesë e historisë, e luftëtarëve të UÇK-së, të mos na ndaj, të mos na përçaj", ka thënë Veseli.

Procedimi me themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ka revoltuar partitë opozitare. Përfaqësuesit e këtyre partive, në mënyrë demonstrative kanë lëshuar mbledhjen e kryesisë duke u zotuar se nuk do të votojnë themelimin e saj.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se ndryshimi i kushtetutës me ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës është i papranueshëm.

Kështu që sipas tij, një veprim të tillë duhet ta refuzojnë të gjithë deputetët e Kosovës.

"Po kërkohet që Kushtetuta të ndryshohet dhe që sistemi gjyqësor të gjymtohet në tri nivelet e tij, që të krijohen hapësira të reja juridike të udhëhequra nga të huajt, nga ndërkombëtarët, dhe në të cilat nuk do të ketë kurrfarë ingerence Republika e Kosovës", ka theksuar Konjufca.

Kundërshtimi i opozitës u përshkua edhe me nervozë dhe emocione. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka shqyer me këtë rast para mediave të pranishme letrën ku ishte shtypur projektligji për gjykatën speciale.

"Përgjigja e jonë në këtë projektligj do të jetë që ne, ashtu sikurse sot që simbolikisht po e shqyejmë para mediave dhe opinionit atë, edhe në ditët e ardhshme do t'i bëjmë të gjitha veprimet e duhura që këto veprime bizare nga ana e qeverisë dhe mazhorancës, të ndalen", ka theksuar Kadaj - Bujupi, ndërsa shqyente letrën ku ishte shtypur projektligji për Gjykatën Speciale.

Përballja me Gjykatën Speciale për krime lufte, e cila pritet të ketë në shënjestër disa nga figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e do të jetë e lehtë ka thënë, në nën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Por, ai ka shprehur edhe bindjen e tij se me këtë gjykatë do t'u jepet fund edhe spekulimeve dhe dyshimeve të ngritura për luftën e UÇK-së.

"Kemi një situatë në të cilën jemi mes emocioneve dhe arsyes. Emocionet janë ato të cilat neve na bëjnë krenar me luftën e lavdishme të UÇK-së. Të njëjtën kohë kemi arsyen ngase janë shumë akuza e mjegulla të cilat janë vënë mbi këtë luftë dhe bartësit e luftës së UÇK-së", ka thënë Veseli.

Gjykata Speciale për krime lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.

Këto dhoma do të jenë nën kompetencë të plotë të prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtar.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG