Ndërlidhjet

Mabus: SHBA e përkushtuar për FSK


Në Kosovë, të martën ka qëndruar sekretari amerikan i forcave detare, Ray Mabus. Pas takimit me zyrtarë të institucioneve të larta të vendit, ai ka theksuar se qeveria dhe ushtria e SHBA-ve do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara në angazhimet me Qeverinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sekretari amerikan i forcave detare, Ray Mabus, në një konferencë për medie në Prishtinë, ka theksuar se ka takuar presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, zyrtarë të ekzekutivit të vendit, si dhe ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.

Zoti Mabus ka theksuar se vizita e tij në Kosovë tregon rëndësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kushtojnë marrëdhënieve me Kosovën.

Qëllimi i vizitës sime është për të theksuar rëndësinë që qeveria, forcat ushtarake dhe populli i Shteteve të Bashkuara u japin marrëdhënieve me Kosovën, e në veçanti Departamenti i ushtrisë detare".

"Arsyeja pse një sekretar i forcave detare e viziton një vend që nuk ka det, është fakti se Korpusi i marinës së SHBA-ve i raporton atij. Ky korpus, ka një varg angazhimesh që po shtohen dhe gjatë këtij viti do të ketë 11 angazhime për marinsat amerikanë, të cilët vijnë përmes rotacionit të forcës së Detit të Zi, që bie nën forcat e marinsave në Evropë.”, tha Mabus.

Ai ka shtuar se janë organizuar kurse dhe seminare për komunikim, logjistikë, kontroll të komandës, të cilat i aftësojnë forcat e marinsave për të reaguar në rast të krizave humanitare.

Pothuajse çdo dy javë kemi nga një kërkesë nga ndonjë vend me këtë arsye. Për këtë shkak, marinsat tanë janë ushtarak të shkëlqyeshëm dhe reagojnë në kriza dhe raste humanitare”, ka theksuar sekretari amerikan i forcave detare, Mabus.

Ai gjithashtu ka theksuar se e mirëpret, “thellimin dhe zgjerimin e rolit të Korpusit të marinsave amerikanë​ me Forcën e Sigurisë së Kosovës

Mabus ka shtuar se qeveria dhe ushtria amerikane do të jenë të përkushtuara për angazhimet me qeverinë e Kosovës dhe FSK-në, “përderisa ato të lëvizin drejt sigurimit të paqes, stabilitetit dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, përmes një komunikate për medie, ka theksuar se e vlerëson “ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën, posaçërisht në ndërtimin e paqes, të stabilitetit dhe përparimit për të gjithë qytetarët e saj”.

Ajo ka theksuar se “prania amerikane në Kosovë dhe në veçanti përmes forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it, kanë ndihmuar në stabilitetin dhe vendosjen e paqes jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon në përgjithësi”.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se presidentja Jahjaga e njoftoi sekretarin Mabus edhe për punën e vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në Kosovë në partneritet me faktorin ndërkombëtar dhe theksoi se “me përmbylljen e procesit të rishqyrtimit të sektorit të sigurisë në Kosovë është rekomanduar transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, një force mbrojtëse të armatosur lehtë që do të reflektojë përbërjen etnike të Kosovës”.

Presidentja Jahjaga tha se Forca e Armatosur e Kosovës duhet të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s për të siguruar zhvillimin e mëtejmë të saj dhe për të marrë detyrat në fushën e sigurisë në periudhat e zvogëlimit të pranisë së KFOR-it në Kosovë.

XS
SM
MD
LG