Ndërlidhjet

Lokacioni "problematik" i varrezave katolike në Llapushnik


Pamje nga Llapushniku
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:32 0:00

Pamje nga Llapushniku

Punimet për rrethimin e një vendi për varreza të komunitetit të besimit katolik në fshatin Llapushnik të komunës së Drenasit janë pezulluar, pas reagimeve të disa banorëve të kësaj ane.

Në ketë fshat, i cili ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, janë afërsisht 20 shtëpi me mbi 50 banorë që i takojnë komunitetit katolik.

Ky komunitet pohon se ende nuk ka një vend për të kryer ritet fetare.

Pavarësisht faktit se autoritetet e komunës së Drenasit, kanë lejuar fillimin e ndërtimit të një vendi për varrezat e këtij komunitet dhe me vonë, siç thuhet, edhe të një kishe, banorët tjerë, të besimit islam, kanë protestuar dhe kanë ndërprerë punimet në vendin e quajtur “Boka”.

Në shenjë kundërshtimi, ata kanë rrëzuar murin në pjesën e ndërtuar, i cili kufizon 2.5 hektarët e tokës së ndarë nga komuna dhe kanë prerë shufrat e hekurit të vendosura në themel që nevojiten për ndërtim.

Komuniteti katolik, përkatësisht Famullia “Nënë Tereze” në Llapushnik, në vitin 2009, por edhe në vitin 2010, kishte kërkuar nga komuna e Drenasit që në vendin e quajtur “Gradina-Fusha”, respektivisht "Boka", të ketë një hapësirë të caktuar për varreza. Përfaqesuesit e këtij komuniteti pohojnë se në të kaluarën, në atë lokacion, kanë qenë dikur varrezat katolike.

Kërkesa e komunitetit katolik ishte aprovuar nga Komuna e Drenasit në vitin 2010, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Shpronësimin e Pronës se Paluajtshme.

Kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, tha për Radion Evropa e Lirë, se kërkesa e komunitetit katolik nga fshati Llapushnik për ndarjen e një hapësire për varrezat ka qenë e arsyeshme dhe, siç thotë ai, është nevojë elementare për atë komunitet në Llapushnik.

“E drejta dhe liritë fetare janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës, pa marrë parasysh atë se sa është përbërja e katolikëve apo e myslimanëve. Është e drejtë, që i garantohet secilit”, tha Demaku.

Ditë me parë, para Komunës së Drenasit, janë zhvilluar edhe protesta në kundërshtim të vendimit të komunës [të vitit 2010] lidhur me ketë çështje.

Kryetari i komunës tha se protestat e tilla nuk mund të ndikojnë në vendimet e marra nga komuna, e që janë votuar nga shumica absolute e asamblistëve.

Demaku konfirmoi se në protestën e fundit kanë marrë pjesë edhe imamë të xhamive të fshatrave të Drenasit.

“Fatkeqësisht ka segmente të caktuara, një pjesë e tyre janë të Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët në forma të ndryshme kanë tentuar dhe po tentojnë të manipulojnë opinionin dhe komunitetin se gjoja vendimi është i kundërligjshëm, se gjoja kjo është e papranueshme dhe që është një kërkesë, e cila sipas tyre nuk duhet të realizohet”, tha Demaku.

Sekretari i Ipeshkvisë së Kosovës, Dom Fatmir Koliqi tha se që nga viti 2010, e deri më tash nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga askush lidhur me vendimin e komunës për ndërtimi e një vendi për varrezat e komuniteti katolik në Llapushnik dhe ndërtimit të një kishe.

Duke shprehur befasinë e tij me çfarë po ndodhë ditët e fundit në këtë drejtim, Koliqi tha se askush nuk po e kupton kundërshtimin e komunitetit mysliman në fshatin Llapushnik.

Tashmë kanë kaluar pesë vjet dhe asnjëherë nuk kemi dëgjuar shqetësime të tilla. E tash që po ndodhin këto [zhvillime], nuk po e dimë pse, sepse ende nuk janë të qarta ato kërkesat e tyre. Diçka e tillë nuk është e pëlqyer për vendin tonë. Në të gjitha pikat ku ne kemi filluar të ndërtojmë diçka, krejt në mënyrë të ligjshme, ka njerëz të cilët kundërshtojnë”, tha Koliqi për Radion Evropa e Lirë.

Në Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Drenas, thonë se qëndrimi i Këshillit lidhur me ketë çështje është se të gjitha komunitetet fetare kudo qofshin ato, duhet të kenë objektet e tyre fetare për të kryer ritet.

Por, sipas Eset Bajraktarit, sekretar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, komuniteti mysliman në Llapushnik është kundër vendimit të Komunës së Drenasit për vendin e ndarë për varrezat e komunitetit katolik dhe ndërtimit të kishës.

“Jemi të gjithë për, që ta kenë objektin e vet të kultit, edhe komuniteti katolik në Llapushnik. Krejt kundërthënia është te vendi, lokacioni po kundërshtohet, jo objekti dhe qëllimi i objektit", tha Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, zona ku kanë nisur punimet ka qenë e njohur si një zonë e mbrojtur për banorët, pasi aty "janë zhvilluar beteja të luftës ndërmjet ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë".

Për më tepër, Bajraktari thotë se "është e pakuptimtë që lokacioni i zgjedhur të jetë larg komunitetit".

"Edhe ne kur i ndërtojmë xhamitë, kemi dëshirë që t’i shërbejnë atij komuniteti sa më afër. Ata disi kanë shkuar shumë larg", thotë zoti Bajraktari.

Por, lidhur me përcaktimin e asaj zone si të mbrojtur për banorët, një pjesëtari i komunitetit katolik në Llapushnik, i cili kërkoi të mos i publikohet emri, tha se pretendimet se aty është zhvilluar luftë ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe nuk qëndrojnë.

“Ata po thonë se 'nuk jemi kundër kishës', atëherë për çka po protestohet pra? Këta po thonë po ashtu se aty është një hapësirë ku është zhvilluar luftë. Aty kurrë nuk ka pasur mundësi të zhvillohet betejë, sepse është hapësirë e hapur”, tha ai.

Banorët e besimit islam në këtë komunë kanë mendime të ndryshme në raport me këtë çështje.

Ragip Hyseni, i cili me profesion është taksist, thotë se secili komunitet fetar ka të drejtat e veta fetare dhe nevojën si për xhami, ashtu edhe për kishë.

“Ndarja e atij vendi për varreza është e drejtë. Edhe ata jenë pjesë e një komuniteti fetar dhe janë shqiptarë”, tha Hyseni.

Kurse Kadriu, një pensionist nga Drenasi thotë se me aq sa di, në fshatin Llapushnik nuk ka pasur banorë të besimit katolik...

“Fshati Llapushnik...Unë i bëra 70 vjet dhe nuk mbaj mend që ka pasur fe katolike. Tash kanë nisur të kthehen [konvertohen]”, tha Kadriu.

Sidiqoftë, e gjithë kjo çështje ka mbetur e hapur deri në përfundim të muajit të shenjtë të Ramazanit. Vendimi për pezullimin e punimeve është marrë nga kryetari i Komunës së Drenasit, pas disa takimeve me përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Llapushnik.

Deri në vendimin e radhës, në vendin e përfolur, sigurinë po e garantojnë forcat e rendit.

XS
SM
MD
LG