Ndërlidhjet

Sulmuesi i Charleston kishte lidhje me djathtistët rusë


Memorial pranë kishës në Charleston, Karolinë Jugore
Memorial pranë kishës në Charleston, Karolinë Jugore

Lidhje indirekte janë zbuluar në mes të vrasësit në Charleston, Dylann Roof dhe një konference të mbajtur së fundmi të aktivistëve të të djathtës ekstreme në Rusi.

Jared Taylor dhe Sam Dickson, anëtarë të Këshillit të Qytetarëve Konservativë, lëvizje e njohur e supremacisë së bardhë, që thuhet se ka inspiruar Roofin para se të shtinte me armë ndaj zezakëve që po shkonin në kishë në Karolinën Jugore, kanë marrë pjesë në konferencën e udhëheqësve të së djathtës ekstreme ruse dhe perëndimore në muajin mars, në Shën Petersburg, raporton Buzzfeed.

Tubimi i muajit mars, i organizuar nga partia nacionaliste Rodina, u ndoq nga rreth 150 liderë të djathtë ekstremë të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Evropës Perëndimore, përfshirë politikanë që kanë bindje neo-naziste, anti-semitike dhe ksenofobe.

Ata kritikuan qeveritë Perëndimore për qëndrimet e tyre mbi konfliktin në Ukrainë, dhe lavdëruan përpjekjet e Moskës për promovimin e "vlerave tradicionale".

Forumi u kritikua në masë të madhe, brenda dhe jashtë Rusisë.

Taylor dhe Dickson i thanë BuzzFeed-it se në atë kohë "nuk e kishin kuptuar" pse i kishin ftuar, duke thënë se kishte "formacion të çuditshëm".

Por megjithatë ata morën pjesë në konferencë, ku Taylor u citua të ketë folur për "traditat aliene" të njerëzve jo të bardhë dhe për "Shtetet e Bashkuara...që po bëjnë vetëvrasje" duke promovuar diversitetin në vend të krishterizmit.

Këshilli i Qytetarëve Konservativë, që e përshkruan veten si "grupi i vetëm aktivist botëror që ngre zërin për të drejtat e të bardhëve", kishte rënë në syrin e publikut, pasi Roof e kishte cituar grupin në manifestin e tij online.

Dylann Roof
Dylann Roof

Në një intervistë me ABC News, Taylor tha se grupi kategorikisht dënon sulmin në Charleston, që vrau nëntë persona, por shtoi se "nuk do të thotë se motivet e tij [Roofit] nuk ishin tërësisht jo-legjitime".

Roof shkroi online se vdekja e adoleshentit me ngjyrë Trayvon Martin më 2012, në Floridë, i vrarë nga George Zimmerman, dhe mllefi që ishte nxitur nga kjo ngjarje, e kishin shtyrë atë të bënte kërkime për "krimet e zezakëve ndaj të bardhëve".

Ai kishte hasur në faqen e internetit e Këshillit të Qytetarëve Konservativë, ku kishte "vegëza mbi këto vrasje brutale të të bardhëve nga zezakët".

Rusia është treguar e gatshme të forcojë lidhjet me partitë e djathta ekstreme të Evropës, në kohën kur raportet me Perëndimin janë të tensionuara për shkak të krizës në lindje të Ukrainës.

Në muajin maj, një forum ndërkombëtar i quajtur "Donbass: Dje, Sot, Nesër", i mbajtur në të ashtuquajturën Republika e Popullit të Donjeckut, tërhoqi anëtarë politikë evropianë pro-rusë, si dhe përfaqësues të Syrizas - partia radikale majtiste që qeverisë në Greqi, si dhe figura tjera të zakonshme.

Ideologu nacionalist rus Aleksandr Dugin ishte ftuar në kampusin e kolegjit të Teksasit nga Preston Wigginton, një supremacist i bardhë i lidhur ngushtë me ultra-nacionalistët rusë, për të mbajtur një ligjëratë në muajin prill, me titullin Liberalizmi Amerikan Duhet të Shkatërrohet.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione mbi Dugin në muajin mars, për rolin e tij në një organizatë që rekrutonte persona për të luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

"Ne dënojmë botëkuptimin ksenofob të Duginit dhe jemi të çuditur se si një universitet i SHBA-ve mund të sigurojë hapësirë për gjuhën e tij të urrejtjes", kishte thënë për Radion Evropa e Lirë, Andrij Dobriansky, zëdhënës i Komitetit Ukrainas të Amerikanëve.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG