Ndërlidhjet

Qindra të vrarë nga sulmet e IS-it


Forcat e sigurisë së Kuvajtit në xhaminë ku ka ndodhur sulmi vetëvrasës terrorist
Forcat e sigurisë së Kuvajtit në xhaminë ku ka ndodhur sulmi vetëvrasës terrorist

Një person i armatosur në një pushimore bregdetare të Tunizisë i ka vrarë dhjetëra njerëz, nga një sulmues vetëvrasës janë vrarë, po ashtu, dhjetëra besimtarë në një xhami në Kuvajt, ndërsa militantët e Shtetit Islamik (IS) i kanë masakruar qindra civilë në luftime të ndara në Siri dhe Somali, gjatë ditës së djeshme.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka marrë përgjegjësinë për shumicën e sulmeve, ndërsa ato kanë ndodhur pasi ky grup militant ka kërkuar nga mbështetësit e vet të ndërmarrin sulme gjatë muajit të Ramazanit.

Shumica prej 39 të vrarëve në një plazh në bregdetin e Tunizisë ishin turistë evropianë, pasi një person kishte shtënë me armën e fshehur nën ombrellën e tij. Për këtë sulm, më vonë, në rrjetin Twitter, përgjegjësinë e ka marrë Shteti Islamik.

Ky grup militant tha se ka dorë edhe në sulmin vetëvrasës në një xhami shiite në Kuvajt, me ç’rast u vranë 27 vetë. Ky ishte incident i rrallë terrorist në këtë vend.

Militantët e Shtetit Islamik i kanë masakruar edhe civilët në Siri dhe Somali, duke i vrarë 164 vetë në qytetin Kobani në Siri, derisa militantët po synojnë ta rikthejnë kontrollin në këtë qytet nga forcat kurde.

Grupe për të drejtat e njeriut thanë se dita e djeshme ishte njëra nga ditët më vdekjeprurëse në luftën në Siri.

Nga ana tjetër, militantët e grupit, Al-Shebab, e kanë ngritur flamurin e zi të Shtetit Islamik në një bazë të Unionit Afrikan në Somali, pasi i i kishin vrarë me heqje koke më se 50 vetë.

XS
SM
MD
LG