Ndërlidhjet

logo-print

Cilësia e shërbimeve shëndetësore në Klinikën e pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare, si qendër referente për tërë Kosovën, nuk duket të jetë në nivel të kënaqshëm, ndonëse po shënon ngritje, deklarojnë zyrtarë shëndetësorë.

Rekomandimet e dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë prej vitesh, sipas zyrtarëve të kësaj organizate, po zbatohen në masë të kënaqshme, deri aty ku kushtet në Klinikën pediatrike e lejojnë një gjë të tillë.

Muharrem Avdiu, drejtor i Klinikës pediatrike thotë për Radion Evropa e Lirë se rekomandimet e OBSH-së, kanë arritur deri në një standard, por kërkohet ende punë.

“Ne nuk kemi para të mjaftueshme, është një çështje që dihet, nuk mund ta realizojmë projektin e higjienës në spitalet tona. Kemi mangësi në barna. Aty ku duhet paraja, e kemi mangët cilësinë e shërbimeve”.

“Mirëpo, ndryshimi i qasjes, ndryshimi në raport me vështirësitë dhe problemet që na dalin, e që janë të natyrës subjektive, aty paraja nuk duhet. Ne kemi kuadër të mirë, me përvojë, e që bëjnë punë të madhe. Mbi këto vlera mendoj se duhet ta ngremë veten dhe t’i ndryshojmë gjërat”, thotë Avdiu.

Sa i përket vdekshmërisë së fëmijëve në Kosovë, Avdiu thekson se ndër vite ky fenomen po shënon rënie.

“Vdekshmëria e fëmijëve ka shënuar rënie dhe vazhdimisht po shënon. Është minimizuar skajshëm kjo dukuri, dhe tashmë dihet se cilat raste mund të përfundojnë me vdekje. Kryesisht, janë problemet me kardiologji, pulmologji, sëmundje neuro-degjenerative apo sëmundjet hematologjike. Edhe këto sëmundje kanë shënuar rënie, në këto reparte, derisa si klinikë, krahasuar me 10 vjet më parë, kanë shënuar rënie drastike”, shpjegon Avdiu.

Por, për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, informimi i të drejtave të pacientëve dhe promovimi i kësaj çështjeje mungojnë.

“Ankesat e pacientëve janë determinante për shërbime shëndetësore. Për t’u ngritur cilësia e shërbimeve, pacientët duhet të jenë të informuar me të drejtat e tyre dhe me edukimin shëndetësor. Në Kosovë promovim të të drejtave të pacientëve nuk ka pasur asnjëherë deri më tani dhe si pasojë e kësaj, kemi një cilësi të ulët të shërbimeve shëndetësore, jo vetëm në Klinikën e pediatrisë, por edhe në klinika tjera ku kemi gjendje edhe më të keqe se aty”.

“Kemi ankesa lidhur me shërbimet, pasi që ne i kemi hapur tashmë dy zyra për ankesa - një në spitalin e Prizrenit dhe një në QKUK , dhe të tillat janë të pakta derisa nuk kemi promovim të duhur të të drejtave të pacientëve”, thotë Kodra.

Ndërkaq, Sami Uka, zyrtar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, bën të ditur se rekomandimet e kësaj organizate në shërbimet pediatrike janë zbatuar në masë të madhe, por ende ka shumë punë për t’u bërë.

“Sa i përket detyrave të lidhura drejtpërdrejt me përgjegjësit e punëtorëve shëndetësorë, mjekëve dhe infermierëve, rekomandimet e OBSH-së zbatohen mbi 80 për qind. Këtë e them duke u bazuar në faktin e vlerësimit që është kryer për dy muaj në spitalet rajonale dhe në QKUK. Por, ne nuk jemi të kënaqur pasi aty ka mungesë të barnave esenciale, udhërrëfyesve me shkrim, pajisjeve ndihmëse, e që e bëjnë më miqësor ambientin për fëmijë”, shton Uka.

Sipas hulumtimeve të bëra nga OBSH-ja, rezulton se qasja dhe komunikimi me prindër të fëmijëve nuk është në nivel të dëshirueshëm, sidomos infermierët, sipas tyre, nuk janë treguar mjaftueshëm të ndjeshëm përballë halleve të prindërve që kanë me fëmijët e sëmurë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG