Ndërlidhjet

Qindra të vrarë nga sulmet e tmerrshme të IS-it


Pamje nga sulmi në një xhami, Kuvajt.
Pamje nga sulmi në një xhami, Kuvajt.

Një person i armatosur në një pushimore bregdetare të Tunizisë ka vrarë dhjetëra njerëz; nga një sulmues vetëvrasës janë vrarë, po ashtu, dhjetëra besimtarë në një xhami në Kuvajt, ndërsa militantët e Shtetit Islamik (IS) i kanë masakruar qindra civilë në luftime të ndara në Siri dhe Somali, gjatë ditës së premte.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka marrë përgjegjësinë për shumicën e sulmeve, ndërsa ato kanë ndodhur pasi ky grup militant ka kërkuar nga mbështetësit e vet të ndërmarrin sulme gjatë muajit të Ramazanit.

Shumica prej 39 të vrarëve në një plazh në bregdetin e Tunizisë ishin turistë evropianë, pasi një person kishte shtënë me armën e fshehur nën ombrellën e tij. Për këtë sulm, më vonë, në rrjetin Twitter, përgjegjësinë e ka marrë Shteti Islamik.

Ky grup militant ka thënë se ka dorë edhe në sulmin vetëvrasës në një xhami shiite në Kuvajt, me ç’rast u vranë 27 vetë. Ky ishte incident i rrallë terrorist në këtë vend.

Militantët e Shtetit Islamik i kanë masakruar edhe civilët në Siri dhe Somali, duke i vrarë 164 vetë në qytetin Kobani në Siri, derisa militantët po synojnë ta rikthejnë kontrollin në këtë qytet nga forcat kurde.

Grupe për të drejtat e njeriut thanë se dita e djeshme ishte njëra nga ditët më vdekjeprurëse në luftën në Siri.

Nga ana tjetër, militantët e grupit, Al-Shebab, e kanë ngritur flamurin e zi të Shtetit Islamik në një bazë të Unionit Afrikan në Somali, pasi i kishin vrarë me heqje koke më se 50 vetë.

Vrasjet e tmerrshme u bënë në mes të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe me afrimin e përvjetorit të parë të Kalifatit të vetëshpallur në Siri dhe Irak, nga grupi ekstremist, Shteti Islamik. Kjo shpallje ishte bërë më 29 qershor të vitit 2014.

Derisa shumica e myslimanëve e shënojnë Ramazanin si periudhë paqësore dhe me ndihma bamirëse, zëdhënësi i Shtetit Islamik, Abu Mohammed al-Adnani, ka thënë më 23 qershor se myslimanët e shfrytëzojnë Ramazanin si një rast për t’u angazhuar në xhihad dhe për t’u shndërruar në martirë.

“Aktet më të mira që ju afrojnë me Zotin është xhihadi, prandaj shpejtoni të keni siguri për kryerje të sulmeve në këtë muaj të shenjtë dhe paraqituni si martirë në të”, ka thënë Adnani në një audio mesazh të postuar në Internet.

Gjakderdhja e paprecedente filloi më 26 qershor me sulmin e grupit Al-Shebab, të ndërlidhur me al-Kaidën, në një bazë të Somalisë.

Dëshmitarët thanë se më se 50 vetë ishin ekzekutuar, shumë prej tyre me heqje koke, në fshatin Lego, 100 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Mogadishu.

Akti i prerjes së kokës është shndërruar në shenjë madhore të militantëve të Shtetit Islamik dhe grupeve, që ose janë imitues të tij, ose i janë nënshtruar këtij grupi ekstremist.

Gjatë zhvillimeve të mëtejshme, po këtë ditë, një ekstremist islamik në Francë me makinën e tij ka depërtuar me dhunë në një fabrikë të gazit, pronë e firmës amerikane “Air Products” afër qytetit Lion.

Pasi sulmuesi, Yassin Salhi, ishte zënë, policia e kishte gjetur kokën e prerë të shefit të të dyshuarit Salhi, në njërën nga hyrjet e fabrikës, të varur në rrethojë.

Ky sulmues i dyshuar, kishte lidhje me format radikale të islamit sunit dhe duket se ishte përpjekur ta shkatërronte fabrikën, duke i aktivizuar gazrat eksploduese.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se në këtë kokë të prerë ishin gjetur shënime në gjuhën arabe, ndërsa ishin shtrirë edhe flamujt e Shtetit Islamik.

“Qëllimi ishte pa asnjë dyshim që të shkaktohet eksplodim dhe ky ishte sulm terrorist”, ka deklaruar Hollande.

Më tutje, ai ka theksuar:

“Ne po e ngremë alarmin për terror në rajonin Rhone-Alps në nivelin më të lartë në tri ditët e ardhshme. Ne duhet të jemi të sigurt se të gjitha verifikimet do të bëhen, të gjitha kontrollet do të kryhen, në vende të ndryshme, në stacione, në hapësirat industriale. E ftoj çdokënd që të jetë përgjegjës, i qetë, pasi ne duhet të jemi të këtillë. Nuk ka dyshim për aftësinë e vendit tonë për ta ruajtur vetveten dhe për të qenë vigjilent”.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se deri tash nuk ka dëshmi se sulmet terroriste në Francë, Tunizi dhe Kuvajt, ishin të koordinuara.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby, ka thënë se për këto sulme ende po zhvillohen hetime, por deri tash nuk “ka indikacione se në nivelin taktik ato ishin të koordinuara”.

“Ekziston fije e përbashkët e terrorizmit nëpër to, qartazi, dhe pavarësisht se kush e merr përgjegjësinë për to, ato paraqesin përfaqësim të kërcënimit të vazhdueshëm nga dhuna ekstremiste. Pra, nga aspekti tematik, kuptohet se ka ngjashmëri atje”, është shprehur John Kirby. (f.bujupi)

XS
SM
MD
LG