Ndërlidhjet

Emigrantët “ngecin” në zonën ndërkufitare Maqedoni-Greqi


Kufiri Maqedoni - Greqi

Kufiri Maqedoni - Greqi

Organizatat joqeveritare në Maqedoni kanë ngritur zërin se Ligji i ri për azil, i cili u mundëson emigrantëve që vijnë nga viset e prekura nga lufta nga Lindja e Afërt dhe Afrika e Veriut, pa problem të qëndrojnë 72 orë në territorin e Maqedonisë dhe pas kësaj kohe të largohen ose të kërkojnë azil, nuk respektohet në tërësi.

“Emigrantëve pothuajse në asnjë mënyrë nuk u lejohet ta kalojnë pikën kufitare të Bogorodicës mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe atje të paraqesin kërkesën e tyre për azil, apo thjesht vetëm të kalojnë territorin e Maqedonisë".

"Ata detyrohen të kthehen në zonën neutrale ndërkufitare, ku sipas informacioneve, ndodhen 500 deri në 600 emigrantë, të cilëve nuk u lejohet të lëvizin në drejtim të qytetit të Gjevgjelisë”, bën të ditur Mersiha Smailoviq, nga organizata joqeveritare “Legis”.

Sipas saj, 200 emigrantë që kishin arritur në qytetin e Gjevgjelisë nga policia maqedonase janë kthyer në zonën neutrale ndërkufitare. Burra, gra dhe fëmijë me ditë të tëra po qëndrojnë në qiell të hapur, pa ushqim dhe pa ilaçe, në një gjendje të plogësht shëndetësore.

Nga ana tjetër, autoritetet maqedonase arsyetohen se kanë shtuar masat rreth sigurimit të kufirit, pasi që pala greke në mënyrë të pakontrolluar i lëshon emigrantët të kalojnë këndej kufirit.

Republika e Maqedonisë, nga ana e saj, vepron konform ligjeve për mbrojtjen e vijës kufitare të shtetit. Si rrjedhojë e situatës së krijuar nga fluksi i madh i emigrantëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë masa plotësuese për ruajtjen e kufirit me fqinjin jugor, sepse informacionet nga terreni flasin se ai (kufiri) nuk mbrohet në formën e duhur nga ana e Greqisë”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski.

Ai thotë se gjatë gjashtë ditëve sa ka hyrë në fuqi Ligji për azil, dikasteri i policisë maqedonase ka ndarë mbi 3 mijë vërtetime për emigrantët, të cilët dëshirojnë të kalojnë territorin e Maqedonisë.

Ndërkaq, shefja e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim në Shkup, Sanja Bozhinovska - Petrushevska, pajtohet se Ligji i ri për azil në masë të konsiderueshme shmang rreziqet, ndaj të cilave emigrantët ishin të ekspozuar më parë, por njëkohësisht thotë se autoritetet maqedonase duhet të tregojnë më shumë kujdes ndaj emigrantëve për aq kohë sa ata qëndrojnë në territorin e Maqedonisë.

“Duhet të kihet kujdes se emigrantët në territorin e Maqedonisë lëvizin në qiell të hapur, janë të lodhur dhe pjesa më e madhe e tyre janë në një gjendjetë vështirë financiare. Andaj, nevojitet mbrojtje dhe mbështetje gjatë udhëtimit të tyre, sepse ata janë në një gjendje shumë të ndjeshme”, thekson Bozhinovska.

XS
SM
MD
LG