Ndërlidhjet

Huamarrësit ngarkohen pa të drejtë me normë të lartë të interesit


Ilustrim
Ilustrim

Pavarësisht nivelit të ulët të kredive joperformuese apo të këqija, në bankat komerciale në Kosovë, këto të fundit, vazhdojnë të kenë norma të larta të interesit dhe kritere të ashpra për kredimarrje, vlerësojnë ekspertë të çështjeve financiare në Prishtinë.

Megjithatë, ndryshe nga ekspertët e ekonomisë, shprehen zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, të cilët thonë se normat e interesit kanë shënuar rënie dhe se Kosova nuk i ka më normat më të larta të interesit në rajon.

Eksperti i ekonomisë, Flamur Keqa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se niveli i ulët i kredive të këqija tregon se tani e 15 vjet huamarrësit në Kosovë janë ngarkuar pa të drejtë me kamata tepër të larta.

“Vetë fakti që kreditë joperformuese janë në nivel të ulët, tregojnë një indikator të mirë të afarizmit të bankave, por njëherësh tregojnë se edhe bizneset apo klientët që marrin kredi, janë të kujdesshëm gjatë kredimarrjes”.

“Një element tjetër që mund të reflektojë për këtë nivel të ulët të kredive të këqija është ajo se edhe bankat, gjatë dhënies së kredisë, janë konservatore dhe e analizojnë mjaft thellë kapacitetin financiar të huamarrësve”, sqaron Keqa.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, norma e kredive joperformuese në prill të këtij viti ka qenë 7.9 për qind, krahasuar me 8.6 për qind sa ka qenë në prill të vitit 2014.

Drejtori i Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore të Kosovës, Arben Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se sektori bankar karakterizohet me pjesëmarrjen më të ulët të kredive të këqija krahasuar me vendet e rajonit.

“Kreditë jo performuese vazhdojnë të jenë mirë të mbuluara nga provizionet për mbulimin e humbjeve të mundshme nga kreditë, që do të thotë se bankat janë duke ndarë rezerva të mjaftueshme për mbulimin këtyre humbjeve. Pra, e gjithë kjo flet për një situatë të mirë në sektorin bankar sa i përket cilësisë së portofolit kreditor dhe shërben si një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit financiar në Kosovë”, thekson Mustafa.

Norma e ulët e kredive jo performuese, sipas Mustafës, paraqet një qasje të kujdesshme që kanë pasur bankat komerciale në Kosovë gjatë aprovimit të aplikacioneve për kredi.

Sa i përket lehtësirave të kreditimit që ekspertët e ekonomisë e kërkojnë, Mustafa thotë se këto lehtësi tashmë janë duke ndodhur.

“Bazuar në rezultatet e anketës së kreditimit bankar, vërehet se bankat kanë filluar t’i lehtësojnë standardet e kreditimit. Po ashtu, edhe bankat kanë raportuar se kanë lehtësuar edhe kushtet e kreditimit, kryesisht koston e financimit, si dhe normën e interesit”, shton Mustafa.

Ndryshe, norma e interesit në kredi si për ndërmarrje, po ashtu edhe për ekonomitë familjare, sipas të dhënave të BQK-së ka një rënie të vazhdueshme. Derisa në fund të vitit 2014 norma e interesit ka qenë 9.2 për qind, kjo normë në muajin prill ishte 8.3 për qind, ndërsa në muajin maj 7.9 për qind.

Sidoqoftë, edhe kjo normë për ekspertët e ekonomisë vlerësohet të jetë e lartë.

“Edhe norma 8 për qind e interesit për kredi, që iu lejohen klientëve, është një normë mjaft e lartë që nëse krahasohet me nivelin e ulët të kredive joperformuese, konsideroj që nuk është reale kjo normë kaq e lartë”, vlerëson eksperti i ekonomisë, Flamur Keqa.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vlera e kredisë në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 1.9 miliard euro.

XS
SM
MD
LG