Ndërlidhjet

logo-print

Kerry, Zarif: Punë e vështirë për çështje të vështira

  • RFE /RL

John Kerry (djathtas) dhe Mohammad Javad Zarif (Foto nga arkivi)

John Kerry (djathtas) dhe Mohammad Javad Zarif (Foto nga arkivi)

Negociatorët ndërkombëtarë për programin atomik të Iranit po hyjnë në fazën e tyre finale, pasi afati 30 qershor është shumë afër, që fuqitë botërore dhe Irani të arrijnë marrëveshje.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, u takua në Vjenë me ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Ata biseduan edhe të shtunën, me ç’rast i kanë përshkruar bisedimet si “të vështira” por me shpresë se do të arrihet pajtueshmëria.

Në këtë aspekt, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, theksoi:

“Mendoj se është korrekte të thuhet se shpresojmë. Ne kemi shumë punë të vështirë për të bërë. Disa çështje janë tejet të vështira”.

“Mendoj se të gjithë ne shpresojmë të arrijmë te përpjekja finale këtu, për të parë se a është e mundshme marrëveshja apo jo. Mendoj se secili dëshiron ta shoh marrëveshjen, por ne duhet të punojmë nëpër disa çështje të vështira”, tha John Kerry, pas bisedimeve të së shtunës në Vjenë, me ministrin iranian, Javad Zarif.

Irani do të arrijë marrëveshje me fuqitë botërore, nëse ato nuk paraqesin kërkesa të tepërta, thatë shtunën ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, me të arritur në Vjenë, për raundin final të bisedimeve për programin atomik iranian.

Pas takimit të së shtunës, Zarif është shprehur se pajtohet me zotin Kerry, por mbase ka dallime.

“Pajtohem. Ndoshta jo për çështjet, por për faktin se ne duhet të punojmë vërtetë fuqishëm me qëllim që të bëjmë progres dhe të lëvizim përpara. Ne jemi të përcaktuar të bëjmë çdo gjë të mundshme që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë kthesë të rëndësishme. Por, kjo varet nga shumë gjëra dhe ne do të punojmë në to dhe do t’i diskutojmë ato”, tha Mohammad Javad Zarif.

Në Vjenë të Austrisë arriti edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila tha se do të jetë “vështirë, por jo e pamundshme” për të arritur marrëveshje.

Duke u shprehur lidhur me afatin, që është shumë afër, ajo theksoi se “nëse janë të nevojshme pak ditë më tepër, ne do t’i marrim ato”.

Irani dhe gjashtë fuqitë botërore, Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, po synojnë arritjen e marrëveshjes, me të cilën do të ndalej programi kundërthënës bërthamor iranian në këmbim për lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare. (f.bujupi)

XS
SM
MD
LG