Ndërlidhjet

Vjenë: Bisedimet atomike nuk përfundojnë deri më 30 qershor


John Kerry (majtas) dhe Mohammad Javad Zarif gjatë bisedimeve në Vjenë
John Kerry (majtas) dhe Mohammad Javad Zarif gjatë bisedimeve në Vjenë

Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se negociatat për programin atomik iranian do të vazhdojnë edhe pas 30 qershorit, që ishte përcaktuar nga pjesëmarrësit si afat i fundit për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet gjashtë fuqive botërore dhe Iranit.

“Ne kemi thënë se bisedimet mund të vazhdojnë edhe pas 30 qershorit, për pak ditë, nëse neve na duhet kohë shtesë”, u tha sot gazetarëve ky zyrtar në kushte anonimiteti.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, dhe ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, së bashku me zyrtarë nga Kina dhe Rusia, po marrin pjesë në bisedime me delegacionin e Iranit, që udhëhiqet nga ministri i jashtëm, Mohammad Javad Zarif.

Qëllimi është që të arrihet marrëveshje, sipas së cilës do të kufizohej programi bërthamor iranian, në këmbim për lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare.

Të gjashtë fuqitë botërore dëshirojnë ta kufizojnë programin iranian, që të mos ketë zbatim në armatimin atomik.

Teherani i ka hedhur poshtë pohimet se synon zhvillimin e armatimit bërthamor.

Mediat iraniane kanë raportuar se ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, sot më vonë gjatë ditës do të kthehet në Teheran për konsultime.

Zyrtari amerikan tha se Uashingtoni nuk ishte i shqetësuar për vendimin e ministrit Zarif, që gjatë natës të kththet në Teheran, duke thënë se pritet që ministrat do të shkojnë dhe vijnë në Vjenë, derisa bisedimet atomike bëhen gjithnjë e më të vështira.

XS
SM
MD
LG