Ndërlidhjet

Kosova as këtë vit nuk do të arrijë t’i plotësojë nevojat e popullatës për ushqim nga rendimentet e grurit, thonë përfaqësuesit e bujqve.

Pasi ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata e korrje-shirjeve, zyrtarët qeveritarë nuk dëshirojnë të japin ndonjë përqindje të sigurimit të bukës, përderisa përfaqësues të bujqve vlerësojnë se Kosova mund të sigurojë rreth 30 për qind bukën nga korrje-shirjet e grurit.

Por, të dyja palët pajtohen se gjendja e rendimentit të grurit këtë vit është më e dobët, në krahasim më vitet tjera.

Megjithatë, Jusuf Cikaqi, kryetar i Komisionit për monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, duke mos supozuar në ndonjë shifër për sasi të grurit, tregon se nga 87 mijë hektarë sipërfaqe të mbjella, 84 mijë hektarë i takojnë kulturës së grurit, kurse sipërfaqja tjetër është e mbjellë me elb, tërshërë dhe thekër.

Ai tregon se nga mostrat e marra në terren, cilësia e grurit rezulton të jetë më e dobët.

“Bazuar në të dhënat nga terreni, mostrat që kemi marrë, raportimi që është bërë nga drejtoritë komunale për bujqësi, javën e kaluar, rezulton se këtë vit gjendja e grunajave është më e dobët krahasim më vitet e kaluara. Kjo për arsye të kushteve klimatike që kanë mbizotëruar".

"Mirëpo vetëm pasi të përfundojë procesi i korrje-shirjeve do t'i grumbullojmë të gjitha të dhënat, dhe do të dalim me raport se sa sasi e grurit është prodhuar në raport me sipërfaqen e korrjeve; atëherë mund të them se kaq për qind Kosova ka plotësuar nevojat me grurin e prodhuar”, thotë Cikaqi për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht kësaj, Cikaqi thotë se rendimenti mesatar i grurit për këtë vit pritet të arrijë nga 3,500 deri në 4,000 kilogramë për hektarë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e bujqve dyshojnë se Republika e Kosovës do të arrijë sasinë e duhur të grurit, kur merren parasysh, sipas tyre, sipërfaqet e vogla me të mbjella dhe cilësia e grurit.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, thotë se mbi 60 mijë hektarë sipërfaqe janë të mbjella me kulturë të grurit, sipërfaqe kjo që sipas tij, bukën mund të sigurojë me më pak se 30 për qind të nevojave të përgjithshme të popullatës.

"Sipas statistikave zyrtare nevojiten 420 mijë tonë grurë për të siguruar nevojat e popullatës, kurse sipas llogaritjeve të shoqatës, nevojiten nga 450 -500 mijë tonë grurë. Pra, nuk mund të sigurojmë as deri në 30 për qind bukën për këtë vit", shprehet Tahiri.

Ndryshe, Tahiri tregon disa nga shkaqet e cilësisë se dobët të grurit...

“Rrjedhojë e saj është repromateriali i dobët, farat janë të dobëta, nuk ka fara cilësore në Kosovë; edhe ato që prodhohen në vend nuk janë kualitative. Më shumë përdoren fara që vijnë nga Serbia dhe fatkeqësisht çdo herë po vjen farë e falsifikuar nga atje".

"Kështu që, përveç kushteve të dobëta agroteknike, që bujqit nuk kanë mekanizëm bujqësor të shfrytëzojnë, bujqit janë të hendikepuar për shkak se plehrat dhe farat janë të kualitetit të dobët”, bën të ditur Tahiri.

Sidoqoftë, Kosova vazhdon të importojë sasi të mëdha grurit dhe miellit nga vende të ndryshme të rajonit .

Ndryshe, sipërfaqja e përgjithshme në Kosovë është 10,908 km katrorë, kurse 53 për qind e tokës është bujqësore. Ndërkaq, nga 1. 9 milion banorë,61 për qind prej tyre jetojnë në zonat rurale.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG