Ndërlidhjet

Dështimi i Speciales, notë negative në integrimet evropiane


Mosmiratimi i formimit të Gjykatës Speciale për krime lufte nga Kuvendi i Kosovës, do të afektojë në proceset e integrimeve evropiane të Kosovës, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane në vend.

Sipas tyre, themelimi ose jo i Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, nuk është në mesin e kritere të Bashkimit Evropian, të quajtura kritere të Kopenhagës, të cilat u parashtrohen vendeve që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Por, siç thonë ata, vendet e Bashkimit Evropian e kanë fuqinë politike për të ndikuar në këtë proces.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Bashkimi Evropian nuk mund të vendosë kushte të tilla ndaj Kosovës, siç është themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte.

Por, sipas tij, vendet e bashkimit Evropian mund ta përdorin ndikimin politik për të vendosur barriera lidhur me proceset integruese të Kosovës.

“Procesi vendimmarrës brenda Bashkimit Evropian është i karakterit të tillë ku konsideratat politike shpeshherë ndikojnë në vendimet përfundimtare që Bashkimi Evropian i merr ndaj vendeve të caktuara. Kjo çështje mund të reflektojë, sidomos në vendimin e BE-së në lidhje me liberalizimin e vizave dhe në lidhje me ratifikimin e MSA-së (Marrëveshjes për Stabilizim Asocim) nga ana e Parlamentit Evropian, nga ana e Komisionit Evropian, por edhe nga ana e Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian”.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë ka dalë nga rezoluta e Këshillit të Evropës, gjë që i krijon obligime Kosovës që të veprojë në përputhje me këto obligime, jo vetëm për procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, por edhe për anëtarësimin e saj në organizatat tjera ndërkombëtare.

“Si mund të pritet një trajtim konstruktiv i aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kur Kosova nuk e përmbushë një rezolutë të aprovuar nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës? Kosova, tashmë ka qenë në fazën kur është dashur të pritet ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocim. Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje varet nga strukturat ndërqeveritare të Bashkimit Evropian".

"Të gjitha shtet anëtare që bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian, bëjnë pjesë edhe në Këshillin e Evropës. Normalisht, ato do të rezervohen në dhënien e një ‘po’ për Kosovën, kur dihet se Kosova nuk e ka përfillur një rezolutë të Këshillit të Evropës”.

Të dy këta njohës të proceseve të integrimeve evropiane, vlerësojnë se çështja e themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte, mund të shndërrohet në kusht për Kosovën, në procesin e integrimeve evropiane të saj.

Analisti Doli vlerëson se ministra të caktuar brenda BE-së dhe anëtarë të Parlamentit Evropian, mund të kërkojnë që Kosovës t’i vendosen kushte konkrete lidhur me Gjykatën Speciale për krime lufte.

“Kushti politik, siç është votimi i Gjykatës Speciale, natyrisht që mund të shërbejnë si element politik për disa vende dhe disa ministra të Bashkimit Evropian, për të kushtëzuar procesin integrues të Kosovës”, tha Doli.

Profesor Mazreku, thotë se kushtëzimet e tilla për Kosovën, nuk do të ishin precedent.

“Kjo nuk është praktika apo rasti i parë që ndodhë vetëm me Kosovën. Ka ndodhë edhe me Kroacinë, me Serbinë, me Malin e Zi, me Maqedoninë, me Shqipërinë, ku janë vendosur kritere shtesë apo ‘kritere ekstra’, të cilat shtetet duhet t’i plotësojnë ato. Prandaj, krijimi i Gjykatës Speciale për Kosovën e ndikon drejtpërdrejtë procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, përkatësisht, i ndikon hapat që tashmë Kosova është në fazën e ndërmarrjes së tyre”.

Mos votimi i Gjykatës Speciale për krime lufte nga Kuvendi i Kosovës, sipas njohësve të integrimeve evropiane do të shkaktojë pasoja në planin e politikës së jashtme, në planin e avancimit të saj në procesin e anëtarësimit në BE, si dhe në mekanizmat e tjerë pan-evropian, si dhe në zhvillimin ekonomik.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG