Ndërlidhjet

Shkup: Edhe një takim pa marrëveshje


Shkup, foto nga arkivi
Shkup, foto nga arkivi

Ka përfunduar edhe një takim pa asnjë marrëveshje ndërmjet katër liderëve kryesor në Maqedoni, Nikolla Gruevski nga VNRO-DPMNE, Zoran Zaev nga Lidhja Social Demokrate, Ali Ahmeti nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Menduh Thaçi, nga Partia Demokratike Shqiptare.

Ata nuk janë për mediat, por në reagimet e tyre me shkrim, të komunikuara nga partitë respektive, u theksua se gjatë takimit të sotëm është biseduar rreth formës së qeverisë së re që duhet të përgatisë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen në prill të vitit 2016.

“Ne, liderët e partive kryesore politike, u takuam sot që t'i vazhdojmë bisedimet në lidhje me formën e saktë të Qeverisë që do t'i organizojë zgjedhjet siç parashihet në pikën 6 nga marrëveshja e 2 qershorit. Në këtë kontekst, liderët u pajtuan që të takohen përsëri në ditët në vijim", theksohet në kumtesën identike të lëshuar nga tre partitë politike, Bashkimi Demokratik për Integrim, Lidhja Social Demokrate dhe VMRO DPMNE.

Në kumtesë thuhet se kryeministri Nikolla Gruevski në tryezën e bisedimeve ka prezantuar planin për reforma.

“Kryeministri Gruevski prezentoi draft-planin e propozuar qeveritar për t'i zbatuar rekomandimet në lidhje me reformat sistematike në fushën e sundimit të ligjit, që do të zbatohen në përputhje me pikën 6 nga marrëveshja e 2 qershorit".

Ndërkohë njohësit e çështjeve politike thonë se marrëveshja mes katër partive politike është në finalizimin e saj, megjithëse për të kapërcyer çështjen më kritike - dorëheqjen e kryeministrit - nevojitet një presion më i fuqishëm nga faktori ndërkombëtar, më konkretisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Unë mendoj se marrëveshja mes katër partive politike është në finalizim e sipër, kanë mbetur të definohen çështjet që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e qeverisë kalimtare pa këtë kryeministër dhe disa imtësira të tjera, megjithëse partitë politike bëjnë taktizime para opinionit”, vlerëson Mersel Billalli, analist politik.

Gjatë realizimit të takimit të katër lidërve politik, një grup të rinjësh nga Lëvizja Besa protestuan kundër pranisë së liderëve politikë shqiptarë Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, duke i cilësuar që të dy si "pengje të kryeministri Gruevski".

XS
SM
MD
LG