Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Kriza politike rrezikon bisedimet me BE-në


Dështimi i takimit të liderëve të partive politike për zgjidhjen e krizës politike shkon në favor të pushtetit aktual, thonë njohësit e çështjeve politike.

Ata fajësojnë për dështimin e radhës edhe partitë politike shqiptare, të cilat, sipas, analistit, Aladin Demiri, janë vënë në shërbim të krimit të kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

“Si kalon koha pushteti është gjithnjë e më agresiv, VMRO-ja fiton besim dhe është gjithnjë e më e bindur në pozitat e veta kështu që i prish dhe nuk i respekton marrëveshjet dhe nuk është çudi që pas një kohe të burgos edhe liderin e opozitës, Zoran Zaev, pasi gjithë zhvillimet janë duke ndodhur ashtu siç i ka parashikuar Gruevski dhe VRMO-ja“, thotë Demiri.

Në bisedimet e së hënës partitë kanë diskutuar për formatin e qeverisë së re, e cila gjatë periudhës kalimtare deri në zgjedhjet e parakohshme, në prill të vitit të ardhshëm, duhet të përmbush kritere të shumta në sundimin e së drejtës, hartimin e kodit të ri zgjedhor dhe shumë çështje tjera që dolën në sipërfaqe nga ajo që njihet si "aferë e përgjimeve", me qëllimin e vetëm organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Mendoj se deri në fundi i kësaj jave apo edhe fillimi i javës tjetër duhet ndoshta të arrihet ndonjë marrëveshje, kuptohet nëse për këtë ka vullnet, e nëse nuk arrihet atëherë duhet të shqyrtohen të gjithë afatet apo obligimet që janë marrë në takimin me ndërkombëtaret lidhur me zgjedhjet e parakohshme".

"Afatet nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjet, por edhe me procesin e euro-integrimeve, afate këto që besoj se janë shumë më të rëndësishme dhe që nuk duhen të shkelen pasi raporti i Komisionit Evropian është në tetor dhe ai nuk do të shtyhet“, ka deklaruar Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për hulumtimin e politikave.

Nga ana tjetër, analisti Alajdin Demiri thotë kriza politike nuk mund të zgjidhet edhe për shkak të vlerësimeve të gabuara të opozitës, e cila, sipas tij aferën e përgjimeve përplot me skandale nuk e ka shfrytëzuar si duhet kundër pushtetit aktual.

Ai nuk beson se përmes negociatave do të arrihen ndryshime e reja në Maqedoni dhe se protestat do të jenë forma e vetme, për siç thotë, përballjen me krimin e pushtetit aktual.

“Gjithë kjo ndodhë për shkak se koncepti i demokracisë në Maqedoni është i mbrapshtë. Vlerësimi i gabuar i opozitës ishte ai se ajo mendoi se me shpalosjen e kriminalitetit të pushtetit do të ngritet vetëdija dhe pushteti do të dorëhiqet".

"Por, kjo nuk ndodhe dhe nga ana tjetër pushteti është gjithnjë e më agresiv. Nga kjo del se në këtë mënyrë nuk mund të bëhet ndryshimi i pushtetit, por opozita duhet të llogarisë në vetëm rrugë, në protesta, madje edhe më të ashpra“, thotë Demiri.

Pas takimit të së hënës, liderët e katër partive [VMRO-DPMNE, LSDM, PDSH dhe BDI] përmes një komunikate, të vetmen që gjë publikuan ishte ajo se janë marrë vesh që sërish të takohen në ditët në vijim.

Në këtë takim kryeministri Gruevski ka prezantuar para liderëve të partive Zoran Zaevit [LSDM], Ali Ahmetit [BDI] dhe Menduh Thaçit [PDSH] draft-planin e propozuar qeveritar për zbatimin e rekomandimeve lidhur me reformat sistematike në fushën e sundimit të ligjit, të cilat do të zbatohen në bazë të marrëveshjes së 2 qershorit të arritur me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG