Ndërlidhjet

logo-print

Rreth 8 mijë migrantë janë kthyer nga vendet e BE-së


Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë, bën të ditur se nga fillimi i këtij viti në Kosovë janë kthyer rreth 8 mijë persona të cilët ilegalisht kanë migruar në vende të Bashkimit Evropian.

Safedin Kuçi, nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme, tha për Radion Evropa e Lirë se “në bazë të marrëveshjeve me shtetet përkatëse që janë pjesë e Bashkimit Evropian në vend janë kthyer rreth 8 mijë persona”.

“Gjashtëdhjetë për qind e personave të kthyer janë vullnetarë, kurse 40% janë kthyer me forcë apo të urdhëruar”, tha Kuçi duke shtuar se pjesa më e madhe e tyre janë individë të cilët kanë migruar në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe fillimit të vitit 2015.

Kushtet e vështira socio-ekonomike dhe situata politike në Kosovëpërmenden si ndër faktorët kryesorë që kanë shtyrë shumë shqiptarë nga Kosova të marrin vendim për t'u larguar ilegalisht nga vendi.

Kështu është thënë në studimet e fundit të dy organizata nga shoqëria civile në Kosovë.

Drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi thotë se në studimin e bërë nga organizata që ai drejton, jepen rekomandime konkrete se çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës që të ulin interesimin për migrimin ilegal.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, duhet të hapë vende te reja të punës, fabrika dhe po ashtu të bëjë pensionimin e parakohshëm të personave deri në moshën 60 vjeçare.

“Nëse ne duam ta ndalim imigrimin ilegal ose krejt valën, qeveria duhet të japë një sinjal se diçka po ndryshon. Për fat të keq që gjashtë muaj të qeverisë së re, tani po bëhen shtatë muaj, ne nuk kemi vërejtur një sinjal që njerëzit do të shohin një perspektivë, së paku një vend i punës nëse është hapur, unë kam qenë i barabartë. Nëse lexon në media e sheh se ka pasur abuzime me një konkurs publik. Ai [qytetari], i papunësuari, ka humbur shpresën”, tha Ejupi.

Në studimet e këtyre dy organizatave, Instituti për Politika Zhvillimore dhe Friedrich Ebert Stiftung, përsëriten të dhënat se kryesisht të rinjtë janë atë të cilët kanë migruar ilegalisht nga Kosova në Serbi e më pas në Hungari dhe në vende të tjera të BE-së.

Gatishmëria e një pjese të qytetarëve të Kosovës për të migruar mbetet e lartë, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli se atyre nuk do t'u njihet e drejta e azilit.

Ejupi thotë se për vite me radhë interesimi i qytetarëve nga Kosova për të migruar është shumë i madh.

“Çka është brengosëse është se 10 mijë njerëz në Kosovë, pesë vjetët e fundit, kanë tendenca të paguajnë trafikantë për ta lënë Kosovën. Kjo është brengë", tha Ejupi.

Maichael Sauer, këshilltar i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, në një debat ku është diskutuar për migrimin ka deklaruar se ministria është duke punuar në drejtim të menaxhimit të migrimit për punësim.

“Objektivi ynë kryesor është që të menaxhohet më mirë migrimi ipunës me qëllim të arrihen të paktën tri gjera. E para është që të shfrytëzohen më mirë normat ligjore të migrimit për punësim nga Kosova në vendet tjera. E dyta, që të hapen kanale të reja për migrim të ligjshëm, të punës, duke ndihmuar nga marrëdhëniet bilaterale me vendet e tjera. Dhe e treta, me këtë ne shpresojmë të parandalojmë ose të paktën të vogëlojmë migrimin e paligjshëm ose ilegal”, tha Sauer.

Problemet me migrimet e paligjshme u aktualizuan shumë në Kosovë gjatë dhjetorit të vitit 2014, si dhe janarit e shkurtit të vitit 2015.

Gjatë këtyre tre muajve, besohet se Kosovën e kanë lëshuar mijëra qytetarë, të cilët ende vazhdojnë të ballafaqohen me sfidat e azil kërkimit nëpër vendet e BE-së.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG