Ndërlidhjet

Ish-ambasadori i SHBA-ve: Irani po luan rol “të padobishëm” në Irak


Ryan Crocker

Ryan Crocker

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Irak ka akuzuar Iranin se në Irak ka luajtur një rol të “padobishëm” dhe “shumë dëmtues” dhe duke thelluar edhe më shumë tensionet sektare.

Në një intervistë dhënë për Radio Evropa e Lirë, Ryan Crocker ia ka vënë fajin krahut të Gardës Revolucionare Islamike, e cila njihet si Forca Quds, të cilët ai sugjeroi se janë duke luftuar një luftë një dekadë të vjetër.

“Mua më duket të paktën se Forca Quds është duke ndjekur një politikë që synon një ndarje të përhershme të Irakut, në zonë sunite, Shiite dhe zonë kurde”, ka thënë Crocker.

Prezenca e gjeneralit të kësaj force Qasem Soleimani, është parë në Irak këto muajt e fundit.

Crocker ka thënë se ai beson se Suleimani dhe disa veteranë të tjerë iranianë të luftës me Irakun në vitet 1980-88 janë ndjerë të “tradhëtuar në vitin 1988, kur është vendosur për një armëpushim dhe jo për një fitore të madhe”.

Sipas diplomatit amerikan, kjo luftë është duke vazhduar sot.

“Kjo (gjendja aktuale në Irak) është një mundësi për të marrë atë fitoren përfundimtare që nuk arritën ta kenë në vitin 1988. Fitorja e përhershme do të ishte ndarja e përhershme e Irakut. Asnjëherë më nuk mund të ketë një Irak të ndarë e cila mund të kërcënojë Iranin, ashtu siç bëri në vitin 1980”, ka thënë Crocker.

Crocker parashikon se një politikë e tillë në fund do t’i bëjë dëm Iranit “për shkak se një Irak i ndarë në vija etnike dhe sektare, unë mendoj se përbën një kërcënim për sigurinë e vet Iranit për një periudhë afatgjate”, ka thënë ai.

Crocker, i cili është anëtarë i Bordit Transmetues i Guvernatorëve, organi që mbikëqyr transmetimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe transmetimet e Radios Evropa e Lirë, vuri në dukje rolin “shkatërrues” të Iranit në Irak si një nga çështjet kryesore, përtej temës për programin bërthamor, e cila sipas tij, tash për tash ndanë Uashingtonin dhe Teheranin.

Crocker thotë se një marrëveshje për programin bërthamor të Iranit mund të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve mes Teheranit dhe Uashingtonit, të cilat i kanë prishur marrëdhëniet pas revolucionit të vitit 1979 dhe marrjes peng të zyrtarëve të ambasadës amerikane në Teheran.

“Një marrëveshje mund të krijonte një klimë të re, një atmosferë tjetër në të cilën bisedimet diplomatike, marrëdhëniet diplomatike, të cilat më parë aq që mendoheshin se mund të ndodhin, tash të paktën mund të jenë të mundshme”, ka thënë Crocker.

Ryan Crocker ka qenë ambasador i SHBA-ve në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, duke përfshirë këtu vende si Afganistani dhe Pakistani.

XS
SM
MD
LG