Ndërlidhjet

Maqedoni: Proceset gjyqësore thellojnë krizën


Kriza politike në Maqedoni vazhdon të thellohet edhe më shumë pas vendimit të Gjykatës Penale të Shkupit që në bankën e të akuzuarve të ulë edhe liderin e opozitës, Zoran Zaev dhe deklarimit të prerë të këtij të fundit se nuk njeh gjyqësorin duke i bërë thirrje pushtetit që ta arrestojë kur të dojë, madje duke i treguar edhe vendin se ku mund ta gjejnë.

Prokurori publik, Lupço Shvërgovski ka deklaruar se pushteti ka mekanizmat për ta sjellë në gjykatë kreun e opozitës lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij për aferën e përgjimeve dhe tjetrin për ryshfet, duke aluduar kështu në arrestimin e tij të mundshëm, por një veprim i tillë sipas njohësve të çështjeve politike do të shkaktonte kaos në Maqedoni.

“Pushteti aktual mund ta arrestojë Zaevin, jo vetëm atë, por mund të arrestojë edhe të gjithë kundërshtarët e tjerë, të gjithë ata që nuk pajtohen me politikat e tij. Por, ky pushtet ka një problem tjetër, e ai është se 2 milionë banorët nuk janë të kënaqur me qeverisjen e tyre dhe në rast se do ta arrestonte Zaevin, flasim në mënyrë hipotetike, atëherë Maqedonia do të futej në një krizë edhe më të madhe".

"Kështu që mendoj se më tepër kemi të bëjmë me kërcënime për të dobësuar pozitat e Zaevit në bisedime dhe për formimin e qeverisë kalimtare e cila do ta përgadiste vendin për t'ia rikthyer demokracinë në muajt në vijim“, thotë Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Paralelisht me procedurat gjyqësore vazhdojnë edhe bisedimet për zgjidhjen e krizës politike.

Kreu i opozitës, Zoran Zaev, ka thënë se do të jetë pjesë e tyre pavarësisht akuzave të ngritura ndaj tij.

Ai mbetet në qëndrimin për formimin e një qeverie kalimtare, por pa kryeministrin, Nikolla Gruevski, kërkesë kjo që refuzohet nga ky i fundit me aryetimin se për këtë vendos populli dhe jo opozita.

Duke marrë parasysh zhvillimet e tilla, analistët nuk presin ndonjë epilog të shpejt të krizës.

“Mendoj se ka aq shumë çështje në lojë, sa që vështirë është të pritet ndonjë zgjidhje përfundimtare e krizës. Për këtë do të duhet edhe shumë kohë pasi lista e kërkesave është shumë e gjatë. Por, edhe sikur të arrihet ndonjë marrëveshje preleminare mendoj se do t'i ndihmonte gjendjes së rëndë në të cilën ndodhemi", thotë Vlladimir Mirçev, njohës i çështjeve politike.

Nga ana tjetër, Lubomir Fërçkovski, ish zyrtar i lartë i LSDM-së dhe profesor në fakultetin juridik të Shkupit, thotë se kriza nuk mund të zgjidhet nga personi që e ka nxitur atë.

“Personi i cili e ka futur vendin në krizë, më të madhen në historinë e Maqedonisë, që vendosi një sundim autorial për të cilin flet edhe raporti i ekspertëve të Bashkimit Evropian, nuk mund të jetë njeriu i cili do ta nxjerr vendin nga kriza me propozimin e çfarë do qoftë reformash. Ai thjesht duhet të jap dorëheqje".

"Ky është standard demokratik që aplikohet në të gjitha shtetet demokratike, pra pas një afere të madhe siç është kjo me përgjimet, ai duhet të largohet nga pushteti, për këtë nuk mund të ketë asnjë kompromis“, thotë Fërçkovski duke shtuar se partitë duhet të merren vesh që të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve Gruevski të braktisë pushtetin.

Mirçev dhe Fërçkovski theksojnë nevojën e kyçjes më të fuqishme të faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës, por Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike nuk pret shumë nga BE-ja për shkak të krizës me Greqinë ndërsa takimet e liderëve më tepër i quanë farsë se sa gadishmëri për arritjen e marrëveshjes.

“BE-ja mendoj se në momentin aktual ka një problem shumë më të madh, kjo është Greqia, e cila është drejt falimentimit kështu që kriza do të shtyhet dhe nuk mund të presim një zgjidhje të shpejtë“, ka deklaruar Sinani.

XS
SM
MD
LG