Ndërlidhjet

logo-print

Ligji për personat e verbër është miratuar në Kuvendin e Kosovës në qershor të vitit 2012. Por ky ligj nuk po gjen zbatim. Në Kosovë jetojnë rreth 4 mijë persona të verbër, apo me shikim të dobësuar.

Këta persona ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet.

Daut Hoxha, student, i cili është i verbër, tregon vështirësitë e tij në mësim, për shkak të mungesës së literaturës.

"Ne nuk kemi shkrim Braj në mënyrë që të kemi mundësi të lexojmë. Kërkesat tona janë të vazhdueshme për tekstet universitare, por institucionet po bëjnë pak në këtë drejtim. Në literaturë na shfaqen probleme, ku në shumicën e rasteve duhet familjarët të na lexojnë tekstet në mënyrë që ne t'i mësojmë, e që është shumë e vështirë", thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Alfabeti Braj përdoret nga të verbërit, dhe është aktualisht alfabet i pranuar në gjithë botën, i modifikuar dhe i përshtatur sipas veçorive të gjuhëve të ndryshme.

Ky sistem ua mundëson të verbërve shkrim-leximin dhe ua lehtëson komunikimin.

Por, në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se nuk është Ministria e Arsimit ajo që duhet t'u sigurojë studentëve të verbër literaturë me alfabetin Braj.

Lulavere Kadriu, udhëheqëse e divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, për nivelin e arsimit parauniversitar, thotë se Ministria e Arsimit nuk është e obliguar të sigurojë literaturë me alfabetin Braj.

"Në raste të caktuara në disa fakultete ne iu kemi ndihmuar studentëve, por kjo nuk është e rregulluar në nivel gjithë-shtetëror, që secili student i verbër që studion ta ketë literaturën me Braj alfabet. Ministria e Arsimit merret me arsimimin e të rinjve nga mosha 1 vjeçare deri në përfundimin e arsimimit të mesëm të lartë".

"Problem i madh është në universitet, pasi që me këtë problem është dashur të merret vetë universiteti, pra ata t'u sigurojnë literaturë, dhe jo Ministria e Arsimit", bën të ditur Kadriu.

Ndërkaq, Daut Tishuki, drejtor i Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, ka thënë se në Kosovë ligji për të verbrit nuk zbatohet në masë të kënaqshme.

Ai përmend të vetmin nen brenda ligjit që zbatohet, dhe që ju ka ndihmuar mjaft kësaj kategorie të shoqërisë.

"Me keqardhje mund të them se vetëm neni 7 i ligjit për të verbrit zbatohet, ku flitet për kompensimin e të verbërve. Të verbrit i marrin si ndihmë nga shteti nga 125 euro. Gjendja e të verbërve në Kosovë nuk është e mirë, ndonëse ligji e ka përmirësuar pak situatën, pasi që marrin kompensim verbërie. Ndërkaq në pjesë tjera ligjit nuk zbatohen", thotë Tishuki.

Sipas Tishukit, mungesa e literaturës me alfabetin Braj, ka bërë që studentët të ballafaqohen me vështirësi të shumta gjatë studimeve.

"Kur është fjala te arsimimi superior, të verbrit hasin në vështirësi të mëdha në mungesë të literaturës Braj. Studentët kanë mungesë të madhe të teksteve dhe ne nuk kemi mund ta zgjedhim këtë problem përmes Ministrisë së Arsimit. Jemi munduar edhe me donatorë të ndryshëm të sigurojmë literaturë për të verbërit, por pa sukses", shton ai.

Në anën tjetër, Lulavere Kadriu ka thënë se në Pejë tashmë ekziston shkolla burimore që ofron arsimim për të verbrit. Përmes kësaj qendre, sipas saj, është arritur të sigurohen tekste me alfabetin Braj.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG