Ndërlidhjet

“Republika e Kosovës” nxit polemika te gratë deputete serbe dhe shqiptare


Deputetet gra të Kosovës dhe Serbisë janë takuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, në kuadër të një organizimi të sponsorizuar nga OSBE-ja, ku është shfaqur edhe dokumentari “Follow us” (Na ndiqni), i cili trajton rolin e grave në shoqëri dhe raportet ndërmjet dyja vendeve.

Mirëpo, për një çast, aty tensionet janë shtuar, pasi që nga Kuvendi i Serbisë, Maria Obratoviq e cilësoi si të papranueshëm përdorimin e termin, Republika e Kosovës në dokumentarin e shfaqur. Sipas saj, kjo paraqiste shkelje të marrëveshjes.

“Ju e shkelet marrëveshjen sepse ne jemi marrë vesh që të mos përmendet Republika e Kosovës dhe as ne që jemi ardhur në pjesën jugore të Serbisë, por po bëhemi tolerant dhe ta kalojmë edhe këtë pjesë”, ka thënë deputetja serbe.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka potencuar se Republika e Kosovës beson dhe punon në politikat e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë edhe fqinjin e saj verior – Serbinë.

“Mbi bazën e kësaj ne kemi përqafuar platformën e dialogut të vazhdueshëm me qeverinë e Serbisë, në mënyrë që raportet tona të normalizohen dhe problemet mes nesh të zgjidhen përmes komunikimit dhe marrëveshjeve”, ka thënë Veseli.

“Horizonti i këtij dialogu duhet të zgjerohet. Pra, të mos jetë vetëm dialog politik dhe institucional, privilegj i elitave politike, por edhe dialog qytetar dhe kulturor, në fushën e shoqërisë civile”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës, ndërsa shtoi se "në Kosovë besohet se historia e konflikteve të dhunshme ka përfunduar një herë e përgjithmonë, duke i hapur rrugë një epoke të re marrëdhëniesh bashkëpunimi”, është shprehur ai

Sidoqoftë, me gjithë tensionet, deputetet mbesin të përkushtuara të thellojnë bashkëpunimin. Kryetarja e Grupit të Grave Deputete të Kosovës, Blerta Deliu - Kodra ka thënë se “’Follow us’ paraqet guximin e grave për të nisur projekte jo populiste.

“Prandaj sot është një ditë reflektimi e angazhimi për sfidat që kemi përpara, me që sot nis një qasje ndryshe për të zgjedhur problemet tona të përbashkëta”, ka thënë ajo.

Po në këtë takim, deputetja Teuta Sahatqija ka thënë se në fillim të kontakteve të grave deputete ka pasur edhe takime gjysmë ilegale dhe se ende ka dridhje në zemrat e tyre për atë se çfarë do të ndodh, si do të pritet takimi.

Megjithatë ajo ka potencuar se për këso takime mes deputeteve gra nuk ka nevojë për iniciativë nga BE siç ndodh me burrështetasit e të dyja vendeve.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG