Ndërlidhjet

logo-print

Kërkohen ndryshime radikale në arsim - cilësia zero


Ilustrim©Shutterstock

Ilustrim©Shutterstock

Njohës të fushës së arsimit në Kosovës po vlerësojnë se përqindja e kalueshmërisë së maturantëve në testin e maturës është shumë e ulët.

Sipas tyre, këto rezultate po tregojnë se cilësia në arsimin parauniversitar është mjaft e dobët.

Sipas Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, vetëm 53.9 për qind e maturantëve, kanë arritur të kalojnë me sukses testin e maturës.

Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Përformancës së Sistemit të Arsimit, ka theksuar për Radion Evropa e Lirë se çfarëdo rezultati i cili është nën 55 për qind e pragut të kalueshmërisë është i ulët.

“Kjo po tregon se qytetarët tanë nuk po përgatiten për profesionet që duhet t’i kryejnë në shkollat profesionale dhe po shihet haptas se fëmijët tanë nuk po arrijnë suksese në shkolla. Është një gjendje e keqe për të ardhmen e këtij vendi. Autoritetet kompetente duhet të marrin masa radikale në përmirësimin e kësaj gjendje”, shprehet Hyseni.

Ky rezultat i dobët i maturantëve i cili po përsëritet nga viti në vit, shton Hyseni, duhet të jetë sinjal për autoritetet e Kosovës që të marrin masa në përmirësimin e gjendjes në arsim.

Sipas tij, janë shumë probleme në arsimin në Kosovë, të cilat kërkojnë zgjidhje

“Ka shumë probleme me cilësinë e teksteve mësimore, ka probleme me metodologjinë e mësimdhënies, ka probleme me bazën materiale dhe teknike të shkollave, ka probleme me mungesë të standardeve që duhet të garantojnë cilësi. Pra është një numër i madh i problemeve që po ndikojnë ta kemi këtë rezultat”, thekson Hyseni.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë thonë se janë në funksion të përmirësimit të cilësisë në të gjitha institucionet arsimore.

Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit në Qeverinë e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se janë duke punuar në atë drejtim që ky rezultat i testit të maturës të jetë më i lartë në viteve tjera.

“Në përgjithësi jemi duke e diskutuar një draft strategji për sigurimin e cilësisë në arsimin para universitar. Kjo draft strategji nga shtatori mendojmë të jetë si dokument dhe do të iu përcillet shkollave".

"Mbi bazën e kësaj janë paraparë përgjegjësitë për të gjithë si për shkollat ashtu edhe për drejtoritë arsimore dhe Ministrinë e Arsimit. Ky dokument është i rëndësishëm dhe si i tillë do të ndikojë në avancimin e cilësisë në arsim”, ka shtuar Guri.

Më cilësi të ulët të arsimit, ekspertët e kësaj fushe konsiderojnë se ballafaqohen edhe institucionet tjera arsimore, si Universiteti Publik dhe universitetet private në Kosovë.

Sistemi i arsimit në Kosovë, edhe në raporte të shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ishte kritikuar se është në nivel jo të dëshiruar.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG