Ndërlidhjet

logo-print

Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), çdo ditë lindin rreth 40 foshnje.

Zyrtarë shëndetësorë thonë se çdo vit në njësinë e kujdesit intensiv trajtohen rreth 3 mijë fëmijë, derisa rreth 1000 fëmijë lindin para kohe, e që kanë nevojë për kujdes.

Sipas tyre, vdekja perinatale (foshnje të posalindura), ka shënuar rënie të dukshme krahasuar me vitet e pasluftës në Kosovë. Ndonëse nuk ka statistika të sakta, kjo del sipas një analize të bërë nga vetë profesionistët shëndetësorë.

Problemi mbetet te komunitetet Rom Ashkali dhe Egjipas, ku sipas një hulumtimi del se në krahasim me popullatën tjetër që jetojnë në Kosovë, vdekja perinatale e këtyre komuniteteve është e lartë.

Sami Uka, zyrtarë për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se ndonëse nuk ka statistika të sakta, në mënyrë që të bëhet krahasimi me vitet paraprake, te komunitetet RAE, vdekshmëria perinatale nuk ka shënuar rënie.

"Raportet e fundit të gjendjes perinatale në Kosovë, tregojnë një rënie të dukshme, e që na gëzon ky fakt, sidomos ne si OBSH qe merremi drejtpërdrejtë me këtë problematikë me vite të tëra, por mbetet brengosëse vdekja perinatale te komunitetet RAE".

"Fatkeqësisht në mungesë të shërbimit të informimit shëndetësorë adekuat, nuk mund të dihet saktë në mungesë të të dhënave të sakta, por që në krahasim me të dhëna të vdekjeve perinatale të popullatës tjetër është dukshëm më i lartë", tha Uka.

Ndërkaq, Mynavere Hoxha, shefe e njësisë së kujdesit intensiv neonatal, ka bërë të ditur faktorët që kanë ndikuar në rënien e numrit të vdekshmërisë përinatale.

"Faktori kryesor është përkushtimi i stafit për përmirësimin e cilësisë, edukimi i vazhdueshëm profesional i cili organizohet në nivel klinike, pajisja e klinikës me material shpenzues dhe barna e shumë faktorë të tjerë që kanë ndikuar në uljen e vdeshkmërisë në klinikën e neonatologjisë".

Sidoqoftë, tashmë është miratuar edhe raporti për vitin 2014 dhe Plani i veprimit të Programit të Përbashkët të Agjencioneve, Partneriteti për Përmirësimin e Gruas dhe Fëmijës në Kosovë, për vitin 2015, kanë bërë të ditur zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndërkaq, zonja Hoxha ka shpjeguar edhe dallimin mes vdekjes perinatale dhe asaj neonatale.

"Vdekja perinatale është periudhë përreth lindjes dhe mblidhen numrat e foshnjave që lindin të vdekura dhe foshnjat që vdesin në javën e parë të jetës. Vdekshmëria neonatale është vdekshmëria e foshnjave prej 0 deri në 28 ditë. Pra, ulja e vdekshmërisë neonatale ka ndikuar në uljen e vdekshmërisë perinatale", ka shtuar zonja Hoxha.

Sidoqoftë, vdekshmëria perinatale sipas të dhënave, ka shënuar rënie të vazhdueshme nga viti në vit.

Derisa shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë në vitin 2000 ka qenë 29 vdekje në 1 mijë lindje, 11 vjet pas, vdekshmëria ka rënë në 17 vdekje bëjnë të ditur zyrtarët shëndetësorë.

Shkalla e vdekshmërisë në vitin 2013, ishte 16 vdekje në 1 mijë lindje, kurse shkalla e vdekshmërisë në vitin 2014 ka rënë në 12 vdekje te 1 mijë lindje.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG